Spiropali porosi të fuqishme për gjuhën shqipe – Ahmeti: Mos të krijojmë kriza të thella që nuk na ndihmojnë
“Cenimi i gjuhës shqipe, cenon identitetin e shqiptarëve”. Kjo ishte porosia e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali e cila erdhi sot në Shkup për tu takuar me homologun Afrim Gashi. Ajo gjithashtu foli edhe për Gjykatën Kushtetuese, me çka shtoi se pret të ketë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit.
“Një lloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht edhe Ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne, është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim se dhëmb shumë dhe cenon këtë identitet që në ofrojmë në këtë botë të madhe në rajon e më tej si vlerën tonë. Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për mundësinë e ndryshimeve të mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha Elisa Spiropali.
Pasi gjykata kushtetuese pauzoi përkohësisht mekanizmin e balancuesit, pjesë e ligjit për të punësuarit në sektorin publik dhe ligjit për nëpunës administrativ, së shpejti duhet të debatojë edhe për ligjin për gjuhët. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, thotë se duhet gjërat të shihen se si të ecet përpara, dhe assesi të mos punohet për të krijuar kriza të thella.
“Assesi s’duhet të kthehemi pas. Duhet gjërat t’i shohim se si të ecim përpara. Duhet t’i shohim gjërat se si të instalohet një paqe e qëndrueshme dhe jo të bëjmë përpjekje, apo hyzmet t’i bëjmë krizave të thella që nuk na çojnë dhe nuk na ndihmojnë assesi”, tha Ali ahmeti.
Nga koalicioni VLEN nuk mund të parashohin se çfarë vendimi mund të sjellë Gjykata Kushtetuese, por megjithatë, siç tha për TV21 deputeti Adnan Azizi, VLEN është aty për të garantuar se nuk do të kalojnë skenare të tilla ogurzeza.
“Dhe dihet se i gjithë sistemi është i inskenuar dhe i montuar mbi baza të marrëveshjeve individuale partiake dhe ky sistem pastaj funksion në bazë të urdhërave të atyre që i kanë instaluar përbrenda institucioneve. Ne jemi aty për të garantuar se nuk do të kalojnë këto skenare ogurzeza për qytetarët dhe në veçanti për shqiptarët dhe mu ashtu siç kemi paralajmëruar, balancuesi do të zëvendësohet me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve dhe bashkësive që jetojnë në Maqedoni”, deklaroi Adnan Azizi.
Sa i përket balancuesit, duke komentuar deklaratën e ministrit për administratë publike, Goran Minçev, se për momentin nuk mund të konfirmojë nëse po punohet për zgjidhje të re ligjore, Azizi tha se Lëvizja Znam është si pjesë shtesë në Qeveri dhe nuk kanë qenë pjesë e negociatave fillestare mes VLEN dhe VMRO-DPMNE.
Së fundmi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në një intervistë për MIA-n, tha se vendimet e gjykatës nuk duhet të shihen si kërcënim kundër dikujt e as si vendime me të cilat rriten ose zvogëlohen të drejtat e dikujt. Pret që vendimet e gjykatës të pranohen si shprehje e pjekurisë së politikës dhe shoqërisë.