“Të gjitha komunitetet fetare i kanë qendrat e tyre”/ Rama: Urdhri Bektashi, konform Kushtetutës
Kryeministri Edi Rama thotë se të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri, i kanë qendrat e tyre, teksa këto të fundit janë shprehur kundër Urdhrit Bektashi.
Nga New York, ku pati një bashkëbisedim me shoqata shqiptare, Rama deklaroi se Urdhri Bektashi, do të bëhet konform Kushtetutës.
Rama nënvizoi se do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, do të triumfojë arsyeja.
“Natyrisht që është normale të ketë diskutime, është normale të ketë shqetësime etj, por ajo që është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, por në rastin konkret është më shumë për të qarë sesa për të qeshur sepse flasim për një gjë shumë të rëndësishme, është që nuk çfarë nuk fantazohet. Thonë që ky është një plan i Serbisë që të bëhet shteti këtu e pastaj të bëhet një shtet ortodoks në Kosovë. Çfarë idiotësie.
Ndërkohë që komunitetet fetare të tjera e kanë të gjithë sistemin e tyre, e kanë global, kanë qendrat e tyre. Si do bëhet kjo? Në çfarë forme do të ndodhë kjo? Kjo nuk është kështu që hajde se jemi ne disa njerëz e po bëjmë një shtet. Kjo është kështu siç po ju them unë, por që të kuptohet mirë biseda, unë do t’ju sugjeroja kujtdo ndër ju që është i interesuar dhe kujtdo tjetër që është i interesuar, të hapë librat e historisë së Urdhrit Bektashi, duke filluar nga Naim Frashëri.
Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja”, theksoi kreu i qeverisë.