Maqedoni

Mexhiti: Ligji për ‘branitellat’ nuk do të kalojë në Kuvend

Shpërndaje

Në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë përplasjet lidhur me Ligjin për Mbrojtësit, të konfliktit të vitit 2001. Zëvendëskryeministri shqiptar, Izet Mexhiti, ka deklaruar se s`do ta përkrahin këtë ligj.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, deklaroi sot se Ligji për mbrojtësit maqedonas në konfliktin e vitit 2001, nuk do të kalojë në Kuvend.

“Ju siguroj se ky Ligj nuk kalon. Në kohën e BDI-së disa herë ka kalua ligji i “branitellave”. Ata edhe sot kanë status social, dallim prej ushtarëve të UÇK-së. Kanë privilegje në shtet për hir të politikave të BDI-së dhe partnerëve të tyre në të kaluarën”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, deri te deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti, e cila është kryetare e Komisionit për Politikë sociale, ka arritur kërkesa që të thërrasë seancë për mbrojtësit.

Ajo është shprehur se nuk do ta vendosë në rend dite këtë pikë, për aq kohë sa në këtë ligj nuk përfshihen edhe ish-ushtarët e UÇK-së.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, thotë se nuk mund ta detyrojë Ilire Dautin që ta vendosë në rend dite të komisionit ligjin për mbrojtësit.

“Unë jam kryetar i Kuvendit i cili e implementon rregulloren, por jo i cili gjykon. Nuk jam këtu për të gjykuar se kush e thyen rregulloren, ajo nuk është e drejta ime, është çështje interpretimit nga palët në aspektin politik, juridik të ekspertëve d.m.th mbetet çështje e interpretueshme dhe e vlerësimit të palëve të ndryshme të interesuara për këtë çështje”, tha Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Ligji për mbrojtësit është propozuar nga LSDM në opozitë, ndërsa përkrahet edhe nga partitë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE dhe Znam. /Rtk