BotaTop Lajme

‘NATO nuk duhet të ndalet së ndihmuari Ukrainën’/ Stoltenberg: Retorika dhe mesazhet e Rusisë, të pamatura

Shpërndaje

Anëtarët e NATO-s nuk duhet të pengohen për t’i ofruar Ukrainës më shumë ndihmë për shkak të “retorikës së pamatur bërthamore ruse” të Vladimir Putinit, ka deklaruar shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për Reuters të hënën.

Stoltenbergu e ka bërë këtë deklaratë si reagim ndaj një deklarate të Putinit javën e kaluar se Rusia mund të përdorte armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale dhe se Moska do ta konsideronte çdo sulm ndaj saj të mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët.

Paralajmërimi i Putinit erdhi ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po diskutojnë nëse do ta lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa konvencionale perëndimore thellë në Rusi. Kievi po kërkon leje për të goditur objektivat që janë pjesë e përpjekjeve luftarake të Rusisë.

“Ajo që kemi parë është një model i retorikës dhe mesazheve të pamatura bërthamore ruse, dhe kjo përshtatet me atë model”, ka thënë Stoltenberg, i cili ia dorëzon udhëheqjen e NATO-s ish-kryeministrit holandez Mark Rutte të martën pas një dekade në krye.

“Sa herë që kemi rritur mbështetjen tonë me lloje të reja armësh – tanke luftarake, raketa me rreze të gjatë ose F-16, rusët janë përpjekur të na pengojnë”, ka shtuar Stoltenberg për Reuters në selinë e NATO-s në periferi të Brukselit.

“Ata nuk kanë pasur sukses dhe gjithashtu ky shembull i fundit nuk duhet të pengojë aleatët e NATO-s të mbështesin Ukrainën”, është shprehur ai.

Stoltenbergu ka thënë se NATO nuk ka zbuluar ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë “që kërkon ndonjë ndryshim nga ana jonë”.