MaqedoniTop Lajme

100 ditëshi i VLEN-it shumë premtime parazgjedhore, pak realizime

Shpërndaje

Koalicioni VLEN pretendon se ka shënuar arritje në 100 ditët e para të qeverisë, në pikat e përbashkëta nga programi qeveritar me VMRO-në, por në plan-veprimin politik dhe të premtimeve të tij parazgjedhore, rendimenti politik është thuajse zero. Nëse shfletohet programi i premtuar, që në start shihen se VLEN dështoi që me themelimin e Ministrisë së Diasporës, e refuzuar nga VMRO-ja, ndonëse u miratua ligji i cili riorganizoi ministritë dhe formoi disa ministri të tjera të reja.

VLEN kishte premtuar se me Ministrinë e Brendshme do të udhëhiqte një shqiptar, por në fakt mori vetëm zëvendësin, madje edhe në strukturat e shërbimit nuk mori as zëvendësin te Inteligjenca e Presidentes. Formimi i një akademie shqiptare, si paralele e asaj maqedonase u prit negativisht nga vetë partneri i tyre, me justifikimin se po etnizohen institucionet. Eurointegrimet mbetën në udhëkryq, edhe pse me disa deklarata ping-pong u kërcënua se nëse nuk ndodhin për 6 muajve, do të braktisin qeverinë. Me momentin e ndryshimeve kushtetuese,

VLEN pati premtuar se do të aktualizonte temën e 20% të gjuhës, por në fakt, u vu përballë një situate më të vështirë, me shfuqizimin e mundshëm të disa neneve nga Kushtetuesja. Për ironi të fatit ose jo, një nga iniciatorët në nismën për ligjin e gjuhëve, është edhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, i pranuar si kuadër edhe nga VLEN. Për shqipen, Vlen thoshte se duhet dhe do të jetë gjuhë shtetërore, tërësisht e barabartë me gjuhën maqedonase, dhe do të sanksionohet me ligjin për Gjuhët.

Në aspektin ekonomik u premtua krijim i një zone ekonomike për mërgatën shqiptare, apo edhe themelimi i një Banke Shqiptare, me synimin e reduktimit të diskriminimit të shqiptarëve, apo edhe kredi me 0 kamatë për çiftet e reja. Elementi shqiptar ishte parashikuar edhe në fushën e arsimit, por në 100 ditët e para nuk u pa asgjë nga premtimi për realizimin e “Erasmusit shqiptar me Kosovën dhe Shqipërinë”, përveç disa fotografive për ndarjen e abetares së unifikuar, që sipas planprogrameve mësimore, mund të përdoret e shumta si material shtesë, e jo burimor. Përveç abetares, premtime edhe për unifikim të librave të gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë, apo edhe një institut të përbashkët me Kosovën e Shqipërinë.

VLEN u mburr vetëm me 35 mln euro për universitetin Nënë Tereza, shiriti i të cilit ishte prerë nga koha e Gruevskit në 2016, dhe që u hodh vend e pavend, nga UJEL-ja në Shkollën Fillore “Kongresi i Manastirit” dhe “Lidhjen e Sindikatave”, ndërkaq vetëm një vit më parë, në ambientet e Kazermës, pa një identitet të qartë.

VLEN kishte premtuar se universitetet publike shqiptare do të specializohen, njëri për shkenca të sakta dhe inxhinerike, njëri për shkenca shoqërore dhe humane dhe tjetri për mjekësi dhe shërbime sociale, por deri tani kjo mbetet ide e pathënë me zë të lartë.

Është premtuar dhe themelimi i Muzeut të Historisë dhe Kulturës Shqiptare apo organizimi i lojërave panshqiptare, por as këto nuk kanë qenë pjesë e diskutimit në këto 100 ditë.

VLEN numëron si arritje edhe “One Stop Shop” nëpër të gjitha pikat kufitare, megjithatë në vendkalimin kufitar në Bllacë ende nuk ka diçka të tillë.

Në fushën e drejtësisë, nuk është pranuar propozimi i VLEN-it për veting dhe as ideja për formimin e një trupi me ekspertë ndërkombëtarë për të mbikëqyrur punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nuk është folur asgjë për dëmshpërblimin e të përndjekurve shqiptarë që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit jugosllav, por në programin parazgjedhor, VLEN nuk kishte përmendur asnjë rresht për ish ushtarët e UÇK-së, për të cilët u gjetën të papërgatitur kur LSDM-ja propozoi ligj vetëm për “Branitellat”.

Në fushën e shëndetësisë ende nuk ka ndonjë lëvizje për premtimin se do të hapen 6 spitale që do të menaxhoheshin nga komunat.

Deri tani, VLEN mburret me 100 mln eurot për komunat, kredi e Hungarisë, që në fakt i atribuohet vetëm VMRO-së. Vlen shkonte edhe me premtime të tilla se taksat rrugore do të uleshin me 50%, a lëre më edhe karton të gjelbër vetëm 1 euro.

Aktualisht, VLEN po mburret me kazinotë, por ende nuk ka dalë në pah pr/ligji i ri që ata trumbetojnë me të madhe, dhe as hetimi final për shpërdorimet që janë kryer, siç thonë nga ish zv/kryeministri Grubi dhe eksponentë të tjerë të BDI-së.

Gjithsesi, nga e thëna në të bërë, është një det i tërë. Një gjë është e qartë, Vlen s’mund të ketë mundësi të dytë, për përshtypje të parë./Alsat.mk