Bota

Nga 7.8 deri në 35.3 %, Komisioni Evropian do të zbatojë tarifa ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë

Shpërndaje

Komisioni Evropian njoftoi të premten se duke filluar nga fundi i muajit tetor do të zbatojë tarifa ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë pas një votimi që ndau shtetet anëtare të bllokut në dysh.

Komisioni vendosi tarifa që shkojnë nga 7.8 për qind për makinat e markës Tesla, deri në 35.3 për qind për markën SAIC dhe ato të prodhuesve të tjerë që konsiderohen se nuk bashkëpunuan me hetimet e Bashkimit Evropian kundër subvencioneve. Këto janë tarifa shtesë krahas taksës standarde doganore të BE-së për makinat prej 10 për qindësh.
Propozimi i Komisionit Evropian u miratua vetëm me 10 vota në favor, 5 vende votuan kundër dhe 12 abstenuan.
Propozimi do të ishte hedhur poshtë nëse 15 shtete anëtare, që do të përfaqësonin 65 për qind të popullsisë së BE-së, do të kishin votuar kundër.

Tarifat e reja fillojnë të zbatohen nga 31 tetori dhe do të jenë të fuqi për 5 vite.

Ekzekutivi i BE-së tha muajin e kaluar se mund të shqyrtojë sërish marrëveshjet tregtare me kompanitë kineze që do të përfshinin çmimin minimal të makinave kineze si dhe do të përcaktonin sasinë totale të importit të tyre. Në të kaluarën Komisioni i ka hedhur poshtë ofertat e kompanive kineze.
Me një vendim, që shihet si shenjë hakmarrjeje, Kina ka nisur hetimet e saj ndaj eksporteve të BE-së të mishit të derrit dhe alkoolit dhe ka filluar një hetim kundër subvencioneve ndaj prodhimeve të qumështit nga BE-ja, por ende nuk ka njoftuar ndonjë masë.