Kryetari i Zubin Potokut publikon dëshmi se komuna që ai drejton është pjesë e Asociacionit: Nuk ka nevojë për procedura të tjera
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka reaguar lidhur me situatën e fundit rreth anëtarësimit të komunave veriore në Asociacionin e Komunave.
Zeqiri ka thënë se komuna që drejton, ka qenë pjesë e AKK-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Si Kryetar i Komunës së Zubin Potokut, dua të sqaroj opinionin se komuna jonë ka qenë e anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe nuk ka nevojë për procedura të tjera administrative. Që nga data e pranimit, Komuna jonë i ka kryer me rregull të gjitha obligimet në raport me përgjegjësitë statutore të Asociacionit.”, ka shkruar Zeqiri.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë të sillen konform përgjegjësive që na takojnë si Komunë.
Po ashtu, Zeqiri ka folur edhe për mungesën e tij në mbledhjen e së enjtes.
“Mungesa ime në takimin e Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka qenë e paralajmëruar më parë në organet e Asociacionit.”, ka shtuar ai.