Kurti shprehet i bindur se do t’i fitojë thellësisht zgjedhjet
Albin Kurti, është nominuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për të garuar për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.
Në fjalimin e tij pas marrjes së besimit nga KP-ja e kësaj partie, ai u shpreh i bindur se do t’i fitoj thellësisht zgjedhjet.
Fjala e plotë:
Fjala ime e plotë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LV-së:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
E nderuara Kryesuese e Këshillit, znj. Arbërie Nagavci, njëherazi edhe ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Sekretar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Alim Rama,
Të dashur aktivistë e anëtarë,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës dhe Nënkryetari i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Glauk Konjufca,
E nderuara Nënkryetare e dytë Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Mrika Limani-Myrtaj,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, dhe deputetë,
E nderuara Kryetare e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani,
I nderuari Kryetar i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu,
I nderuari deputet z. Shaip Kamberi,
I nderuari deputet në Këshillin Kombëtar zvicëran, z. Islam Aliaj,
I nderuari deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, z. Bekim Qoku,
Të nderuar përfaqësues të partive Guxo, Alternativa dhe IRDK,
Të nderuara media dhe ju të tjerë të pranishëm,
Të dashur aktivistë e anëtarë,
Me nderin më të madh, e pranoj nominimin tuaj si kandidat i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryeministër të Republikës së Kosovës, për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë, pa dyshim, të veçanta. Për herë të parë prej shpalljes së pavarësisë, Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare pas një mandati të plotë katërvjeçar. Kjo dëshmon një stabilitet institucional që Republika jonë nuk e ka njohur deri më sot.
Këto zgjedhje do të jenë të veçanta jo vetëm për Kosovën, por edhe për Lëvizjen tonë. Sepse misioni ynë nuk do të jetë vetëm që të shpalosim një program politik për katër vitet e ardhshme, por edhe që të sigurojmë që qytetarët të jenë të informuar në detaje për të gjitha të arriturat e Qeverisjes sonë gjatë katër viteve të fundit, me gjithë sfidat e jashtëzakonshme që i kishim përballë.
Sipas fjalës së moçme popullore, miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Kjo që thuhet për miqtë, qëndron po ashtu, mbase edhe më shumë, për qeveritë: njëjtë si miqësia, edhe qeverisja e mirë dallohet dhe dëshmohet pikërisht në kohët më sfiduese.
Prej fillimit të mandatit tonë, Kosova është përballur me një sërë krizash të paprecedentë: një pandemi që vjen një herë në shekull; një krizë botërore e rritjes së çmimeve çfarë mbahet mend të ketë qenë vetëm para një gjysëm shekulli; një mungesë enorme, po ashtu botërore, e furnizimit me energji elektrike, si asnjëherë në këtë shekull; dhe një qasje gjithnjë e më agresive nga fqinji ynë verior, Serbia, porsi të ishim në shekullin e kaluar.
Përballë këtyre krizave, Kosova është me fat që e ka pasur në krah Qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Me Qeverinë e Lëvizjes, kemi arritur t’i kapërcejmë këto sfida afatshkurtra, por jo vetëm kaq: kemi arritur edhe të vendosim themelet afatgjata për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe zhvillim, tri vlerat që vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyeset e angazhimit tonë të përbashkët.
Në fillim të mandatit, pandemia COVID-19 ka shpërfaqur, në mënyrën më dramatike të mundshme, se sa e brishtë ka qenë shëndetësia në vendin tonë dhe sa shumë ka pasur nevojë për investime të mëdha dhe të pakursyera në këtë sektor. Për t’u përballur me COVID-in, Qeveria jonë arriti të sigurojë 2.2 milionë vaksina dhe të vaksinojë mbi 60% të popullatës së rritur në po atë vit kur u rikthyem në qeverisje e nuk gjetëm asnjë kontratë për vaksina nga ata që ishin para nesh e i largoi populli prej andej. Por, edhe përtej kësaj, kemi investuar në sektorin e shëndetësisë si asnjë qeverisje më parë. Prej 2019, viti i fundit para pandemisë, deri në 2024, buxhetin e këtij sektori e kemi rritur për mbi 100 milionë euro, duke përfshirë buxhetin për barnat esenciale, i cili, në vitin 2024 është mbi dy herë e gjysmë më i lartë sesa që e kemi gjetur në fillim të mandatit tonë, si dhe për investime të shumta në infrastrakturën dhe teknologjinë më të avancuara mjekësore nga spitali në spital, nga klinika në klinikë anë e mbanë Kosovës.
Përballë rritjes globale të çmimeve dhe krizës energjetike, Qeveria jonë ka miratuar pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në Ballkan, si përqindje e Bruto Produktit Vendor, sipas Bankës Botërore. Mirëpo, nuk jemi ndalur vetëm te kompensimi i rritjes së çmimeve, por kemi ndjekur një program ambicioz për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Këtë e kemi bërë duke rishpërndarë rreth 1.3 miliard euro drejtpërdrejt te qytetarët dhe bizneset, pa e ngarkuar shtetin me borxhe të reja. Masat e marra nga Qeveria përfshijnë: rritjen e dukshme të pagave në sektorin publik për tri vite radhazi; rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë përfituese; subvencionimin e bizneseve për punësimin e të rinjve, grave, personave me aftësi të kufizuara, dhe personave nga familjet me asnjë anëtar të punësuar; mbështetjen për nënat lehona dhe shtesat për fëmijë; arsimin e lartë falas për të gjithë studentët bachelor dhe master; subvencionimin e pajisjeve për të rritur efiçiencën elektrike; mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe eksportuesve për zgjerimin e kapaciteteve; dhe shumë e shumë masa të tjera, të targetuara kryesisht tek ata që janë më së shumti në nevojë në njërën anë, apo që krijojnë vende pune të qëndrueshme në anën tjetër. As punëtorët e sektorit privat nuk i kemi lënë në harresë: Qeveria jonë ka rritur rrogën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, madje duke miratuar dy rritje brenda mandatit. Kështu që, partitë e tjera le të flasin sa të duan për rritjen e pagës minimale. Qeveria e Lëvizjes mbetet e vetmja, prej mbi një dekade, që i ka kthyer fjalët në realitet.
Të gjitha këto vendime, bashkërisht, kanë ndihmuar ekonominë tonë jo vetëm që të kalojë krizën e çmimeve dhe energjisë, por edhe të rritet përtej inflacionit mesatarisht 6.36% të Bruto Produktit Vendor në vit. Dhe këtë rritje kemi vazhduar ta shpërndajmë dhe rishpërndajmë sa më gjerësisht mes qytetarëve, derisa në fund të katër vjetëve, e ke të vështirë të gjesh një familje që nuk ka përfituar nga diçka deri në shumëçka, në një aspekt apo tjetër, nga qeverisja jonë e mirë dhe e drejtë. Ne nuk mund ta bëjmë Kosovën me ekonominë më të madhe në rajon. Por ajo çfarë kemi bërë, dhe e ka konstatuar edhe Banka Botërore, ne kemi shënuar rritjen më të madhe ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E për më tepër, të gjithë këtë progres ekonomik e kemi shënuar përballë sjelljeve dhe veprimeve gjithjë e më agresive të Serbisë. Natyrisht, kjo nuk është rastësi: sa më të suksesshëm që tregohemi ne, aq më të dhunshëm tregohen ata. Lista e veprimeve agresive të kryera apo të sponsorizuara nga Serbia gjatë katër vjetëve të fundit është tejet e gjatë. Mes tyre janë: barrikadimi i rrugëve në veri të vendit; sulmet e shumta ndaj patrullave të policisë; protesta të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it; kidnapimi i tre policëve nga territori i Kosovës; vrasja e rreshterit policor, heroit tonë, Afrim Bunjaku, në një përpjekje për ta aneksuar veriun e vendit; dhe së fundi, ky sulmi ndaj infrastrukturës kritike të ujit dhe energjisë për të cilin ne besojmë që përsëri prapa qëndron Beogradi zyrtar. Përballë këtyre sulmeve, kemi arritur jo vetëm ta mbrojmë Kosovën, por edhe të bëjmë më të sigurt sesa kurrë më parë. Këtë e kemi bërë duke trefishuar buxhetin e ushtrisë, përfshi buxhetin për blerjen e armatimeve dhe të municionit, i cili është rritur nga më pak se 4 milionë euro në periudhën 2018–2020, në më shumë se 239 milionë euro në periudhën 2021–2023. E me blerjet e këtij viti të realizuara deri më tani, e viti ende nuk ka përfunduar ende, blerjet arrijnë në 268 milionë euro. Po ashtu, në katër vjetët e fundit, janë rekrutuar, apo janë në proces të rekrutimit, 2271 ushtarë të rinj, apo dyfishim i numrit të ushtarëve përbrenda mandatit tonë, duke hequr edhe tavanin prej pesë mijë pjesëtarëve e duke e ngritur edhe atë të moshës nga 23 në 25 vjeç. Për ruajtjen e sovranitetit të vendit, në veri të Kosovës kemi tashmë nëntë stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, ndërsa, deri në vitin 2021, nuk kishte asnjë. Nëse dikur bandat kriminale dhe terroriste kanë sunduar në veri të vendit, sot sundon rendi dhe ligji, në duart e sigurta të policisë së Republikës së Kosovës.
Të nderuar të pranishëm,
Serbia nuk është shtet ligjor e as demokratik. Duke qenë Republikë veçse nominalisht dhe duke mos arritur të bëhet monarki edhe formalisht, Serbia mbetet një shtet paramilitar. Paramilitarët e saj nuk kanë vend në Kosovë e do t’ia hanë kokën një ditë edhe vetë Serbisë, atje ku janë.
Pra, përballë gjithë këtyre sfidave, Kosova më në fund ka një qeveri e cila u shërben të gjithë qytetarëve njësoj, dhe jo interesave të ngushta të pushtetarëve apo oligarkëve. Kemi udhëheqësi që lufton korrupsionin kudo që gjendet, dhe rritjen e ekonomisë e të buxhetit e shpërndan te të gjithë qytetarët, për dallim nga ata para nesh që ishin vetë përfituesit më të mëdhenj nga buxheti i shtetit. Kemi një shtet që ka arritur të shtrijë sovranitetin e Republikës në çdo cep të territorit, dhe që guxon ta mbrojë atë territor, deri në fund, nga çdo agresor, terrorist apo grup kriminal që tenton ta kërcënojë.
E megjithkëto, kush i sheh portalet apo debatet televizive patjetër që befasohet. Shpesh edhe emisionet e lajmeve janë të mbushura me keqdashje. Si ka mundësi që, gjithë këto të pavërteta për Kosovën, gjithë këto shpifje për njerëzit tanë, gjithë ky vrer kundër VETËVENDOSJE!-s të shpërndahet kësisoj publikisht? Kurrë nuk kanë qenë më shumë medie kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti. Tash, ata që marrin pjesë dhe orkestrojnë, në numër janë të paktë, por kanë shumë portale e televizione, dhe kanë shumë interesa e privilegje financiare që me qeverisjen tonë të ndershme i kanë humbur. Prandaj edhe janë kaq agresivë, dhe janë në gjendje të bëhen edhe me djallin vetëm e vetëm për ta kthyer kastën e vjetër në pushtet. Por në Kosovë populli është vetëdijësuar dhe i njeh ata si paren e kuqe, e si rezultat edhe efekti i kësaj fushate të baltosjes do të jetë zero. Ata që për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën te qeveria jonë, por asnjëherë te Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj. Ata që e kishin sjell popullin në gjendjen që t’ia blenin votën për 20 euro njëherë në katër vjet në ditë e zgjedhjeve e pastaj për katër vjet e vidhnin buxhetin, nuk mund ta mashtrojnë popllin i cili tashmë e ka parë se si qeveriset drejt, mirë dhe ndershëm. Tash në qeverisjen tonë me buxhetin e kursyer nga ndalja e hajnisë, të gjithë marrin shtesa të fëmijëve nga 20 apo 30 euro çdo muaj, e jo njëherë në katër vjet. Para edhe buxhet ka pasur edhe para nesh por ata njëherë në katër vjet blenin vota e pastaj katër vjet me radhë i vidhnin andaj edhe nuk kishte shtesa për fëmijë. E populli e ka përjetuar këtë ndryshim dhe din kujt t’ia besojë buxhetin e shtetit të tij.
Te nderuar aktivistë, anëtarë e qytetarë,
Puna më efektive që mund të bëni kundër këtyre pjesëtarëve të luftës hibride është që të jeni vigjilent e të verifikoni informatat përmes burimeve të besueshme, mendjes kritike dhe logjikes por edhe t’i injoroni ata që tashmë dihet se punojnë kundër shtetit tonë të përbashkët që s’lë asnjëri mbrapa.
E ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në avancimin dhe forcimin e shtetit tonë, të Republikës tonë të pavarur e demokratike.
Gjatë mandatit që po lëmë pas, ata kanë bërë edhe çdo gjë për të na vonuar në reformat tona, ku shpesh palë bëhej edhe Gjykata Kushtetuese, por s’kanë ku shkojnë më, sepse qysh thotë populli “shteti e zen lepurin me qerre”. Na vonuan në mandatin e parë, por s’do të mund të na vonojnë edhe në mandatin e dytë. Të gjithë ata që keqpërdorën paranë publike do të japin llogari para ligjit, e pasurinë e paligjshme do ta dorëzojnë te Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kësisoj, drejtësia do të fitojë, populli do të fitojë. Për zhvillim ekonomik me biznese të ndershme, punësim të gjithëmbarshëm, dhe rritje të rrogave e të pensioneve. Mbështetja për qeverinë e Kosovës është rregullisht sa dyfishi për gjykatat dhe zyren e prokurorit. Ata duhet të reformohen thellësisht, kurse nga ana jonë zgjedhjet edhe njëherë do të fitohen thellësisht.
Kosova do të jetë një vend atraktiv për investime strategjike. Që nga prodhimi i armëve, te prodhimi i energjisë së gjelbër dhe tek Data Centers. Por edhe te nxjerrja e përpunimi i mineraleve të rralla, gjë që do ta bëjmë bashkë me partnerët tanë strategjikë në Amerikë dhe në Evropë. Këtyre, dhe shumë investimeve të tjera, që do t’i tregojmë edhe gjatë fushatës në janar, u ka ardhur radha dhe do të bëhen. Kosova e ka një rini të aftë, kreative dhe plot energji. Prandaj Kosova do të jetë një vend i rëndësishëm në hartën gjeoekonomike dhe gjeopolitike të rajonit tonë. E ardhmja ka filluar qysh në këtë mandat. Mesatarja e Investimete të Huaja Direkte në Kosovë ndërmjet viteve 2007 dhe 2020 ka qenë nën 300 milionë euro, kurse mesatarja vjetore e Investimete të Huaja Direkte nga viti 2021 kur ne e morëm qeverisjen e deri tani është rreth 700 milionë euro, apo përafërsisht 2.3 herë më e lartë. Investimet rriten aty ku ka shpresë, jo aty ku nuk ka shpresë. Ne jemi vend i investimeve sepse jemi popull me shpresë. Dhe populli do të ketë gjithnjë e më shumë shpresë sepse do të kemi përherë e më shumë vend i investime. Deri në fund të dekadës Kosova ka nevojë për 7 miliardë euro investime në infrastrukturë përmes 50 projekteve: 3 miliardë në transport, 2.5 miliardë në mjedis dhe 1.5 miliard euro në energji. Këtë do ta bëjmë bashkë me investitorët privat si Qeveri e Republikës. Prandaj Kosova nuk paraqet vetëm tregun për investitorë të huaj por njëkohësisht edhe partnerin për ata që po vijnë e do të vijnë.
Të dashur aktivistë, me fjalë të tjera, puna jonë ka nisur mbarë, por asesi nuk ka përfunduar. Qeveria dhe Lëvizja janë të domosdoshme për njëra-tjetrën. Pa Qeverinë, nuk mund të kthejmë idealet dhe vlerat e Lëvizjes në realitet përmes miratimit dhe zbatimit të ligjeve dhe vendimeve. Por, njëkohësisht, pa punën e palodhshme të Lëvizjes, nuk do të kishim fituar kurrë zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, as nuk do të mund të fitojmë ato të 9 shkurtit 2025.
Organizata jonë, pikat tona, qendrat tona, kryesitë, asambleistët e secili nga aktivistët që mund të mos ua dimë emrin por që ua shohim sepse ua ndjejmë punën e madhe që e bëjnë duhet të jenë më të gatshëm se asnjëherë më parë për betejën që kemi përpara e që padyshim do ta fitojmë bashkarisht.
Për ta, sikurse edhe për popullin e Kosovës është e qartë: nuk ka kthim prapa, ka ecje përpara!
61,162 anëtarët tanë, deri në këtë moment që po flasim, të shtrirë në vendbanimet gjithandej Republikës sonë, por dhe në mërgatë në vendet e ndryshme gjithandej globit, duhet të janë aktivë, më shumë se asnjëherë më parë.
Së fundmi në këta dy muaj kemi rreth 500 anëtarësime në Lëvizjen VETËVENDOSJE! e vetëm në javën që lamë pas, kemi prezantuar 70 anëtarësime të reja në Lëvizje, prej të cilave mbi 50% ishin votues që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e radhës.
Kemi 550 Pika, e në qendrat tona përgjatë muajit të kaluar e gjatë këtyre ditë, janë duke u zgjedhur grupe punuese gjithandej vendbanimeve të banueshme në mënyrë që të mos mbetet asnjë zonë ku VETËVENDOSJE! nuk është e pranishme e nuk ka strukturë.
Në çdo vendvotim KQZ-ja me komisionerët dhe vëzhguesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe institucionet e Republikës garantojnë një proces të rregullt, të lirë, të ndershëm, demokratik. Struktura jonë e aktivistët garanton gatishmëri për të qenë gardianë të vullnetit qytetar, duke mbrojtur përcaktimin e qytetarëve dhe votën e tyre.
Brenda strukturës, rreth 4,000 aktivistë janë të përfshirë. Për të gjithë ne, por sidomos për ne që bartim përgjegjësi brenda organizatës e institucioneve, ditët në vijim, do të duhet t’i kemi si ditë me pak gjumë, pa pushim, e me dinamikë shumë më të madhe angazhimi. Përgjegjësia jonë para popullit është e madhe si asnjëherë më parë.
207 këshilltarët komunal në Kuvendet Komunale anë e mbanë Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përfaqësojnë besimin qytetar e votën e komunitetit ku ata jetojnë. Prandaj angazhimi i tyre në këtë kohë, duhet të jetë i pandalshëm. I njëjtë duhet të jetë edhe angazhimi i drejtorëve komunalë e i aktivistëve të angazhuar në komunat ku ne qeverisim.
Deri më sot, pra këtë të diel, nëpër qendrat tona, po kompletohen edhe shtabet zgjedhore lokale, nga të cilat pres një disiplinë të lartë, përgjegjësi të shtuar dhe punë të palodhshme për fushatën tonë elektorale dinamike.
Rinia, gratë dhe vajzat dhe mërgata, janë kategoritë që fitoren e Lëvizjes e të popullit tonë, e bëjnë edhe më bindëse edhe më madhështore. Prandaj kërkoj angazhim të shtuar nga dy strukturat tona të ndërvarura Rinia për VETËVENDOSJE! RVV dhe Gratë për VETËVENDOSJE! GVV, bartësit e të cilave, duhet të jenë të angazhuar në secilin ekip të lagjeve e vendbanimeve kudo në komuna e në secilin ekip të shtabeve lokale.
Në anën tjetër, sa i përket mërgatës tonë e cila po na mirëpret në mënyrë madhështore në takimet e tubimet tona atje, ka një urgjencë tjetër për procesin zgjedhor, që është afati për regjistrim si votues jashtë vendit. Qendrat tona në mërgatë duhet të jenë për ditë në funksion të bashkatdhetarëve tanë, duke i asistuar e ndihmuar në regjistrimin e tyre si votues, por edhe duke i kontaktuar dhe i inkurajuar për ta bërë një gjë të tillë.
Të gjithë ata që nuk e kanë blerë biletën për të ardhur në Kosovë më datën 9 shkurt, kanë afat që deri më datë 26 dhjetor, të regjistrohen si votues jashtë. Unë nga këtu i bëj thirrje secilit bashkëatdhetar që të regjistrohet pa u vonuar, për të votuar për fitoren e përbashkët, të Kosovës, të qytetarëve të saj, e të mërgatës së saj.
Në parim thirrja ime si Kryeministër i Republikës është që të ushtroni të drejtën tuaj demokratike për të votuar si qytetarë të vendit tonë, e thirrja ime e dytë si Kryeministër i Qeverisë Kurti 3 e si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, është që ta votoni Lëvizjen VETËVENDOSJE!, që zhvillimin e progresin e gjithmbarshëm që kemi nisur ta vazhdojmë edhe më fuqishëm përpara pa u ndalur.
E në këtë ecjen tonë bashkë përpara, pa u ndalur, përsëri do të jemi bashkë në koalicion me partinë GUXO dhe me partinë Alternativa. Për fitore të reja e suksese të tjera, bashkë do të vazhdojmë më 9 shkurt para 9 shkurtit në fushatë e pas 9 shkurtit në qeverisje. Por ajo që na bënë krenar për çdo ditë është që kurrë më shumë gra nuk kanë marrë pjesë në politikë e pushtet sesa tani me qeverisjen tonë: nga Vjosa e Donika, te Albulena e Mimoza, nga Artanja e Arbëria te Rozeta e Emilija, nga Saranda, Arbëresha e Fitorja, Fatmirja e Jeta, te Dafina e Daulina e Liza e edhe Edona e shumë e shumë gra të tjera me të cilat ne jemi krenarë sepse përveç se po qeverisin mirë po qeverisin Krejt dhe Drejt. Unë i falënderoj nga zemra e u jam mirënjohës gjithnjë të gjithave e secilës prej tyre.
Të dashur aktivistë e anëtarë,
Partitë tjera besoj e kanë kollaj, por as ne nuk e kemi aq vështirë, sepse pragu për partitë tjera është 5%, e për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është 50%. I gjithë populli ynë, jo vetëm banorët që janë këtu, pra dy milionë e më shumë njerëz, duan vetëvendosje, por VETËVENDOSJE!-s i duhen gjysmë milioni votues.
E kësisoj, ne jo vetëm që do të vazhdojmë punët e mira dhe do të bëjmë shumë të tjera të reja e gjithashtu të mira, por e konfirmojmë qysh tash që jemi subjekti i vetëm siç ishte qeverisja jonë në këto katër vjet që nuk varet e nuk do të varet nga oligarkët tregtarë, nuk varet e nuk do të varet nga votat e Listës Serbe, dhe që e ka e do ta ketë të ulët borxhin publik. Me qeverisje të mirë, demokratike dhe autonome, shteti është bërë e do të bëhet përherë e më i pasur e më i fortë, më sovran e më i drejtë.
Të nderuar të pranishëm,
Ne nuk jemi ambiciozë për vete sepse jemi të rinj. Ne jemi të rinj sepse jemi ambiciozë për shtetin. Vitin e ardhëm, Lëvizja na bëhet 20 vjeçare, teksa do të jemi duke qeverisur edhe një mandat të radhës katërvjeçar.
Ekonomi që rritet, demokraci që ngritet, siguri që s’preket, është Kosova jonë, është Kosova me neve në krye, Kosova e të gjithëve.
Ju falemnderit.