Anija e 14-të me ndihma nga Türkiye për Gazën mbërrin në portin egjiptian
KAJRO (AA) – Ambasada e Türkiyes në Kajro njoftoi se “Anija e 14-të e Mirësisë” që u nis nga porti Mersin dhe që transporton ndihma për Gazën ka mbërritur në portin El-Arish të Egjiptit, transmeton Anadolu.
Ambasada bëri një deklaratë me shkrim lidhur me ndihmat e dërguara nga Türkiye duk vënë në dukje se aktivitetet e ndihmës humanitare ndaj Gazës kanë marrë vrull të madh pas njoftimit të armëpushimit. Më tej thuhet se në portin El-Arish të Egjiptit ka mbërritur “Anija e 14-të e Mirësisë” e emërtuar “Akdeniz” e dërguar nga Türkiye në kuadër të punimeve të ndihmës humanitare.
Anija që mbërriti në portin El-Arish, u prit nga ambasadori i Türkiyes në Kajro, Salih Mutlu Şen, autoritetet portuale të Egjiptit dhe përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane.
Po ashtu në deklaratë thuhet se edhe anija e dytë me ndihma do të mbërrijë në Egjipt ditën e diel më 2 shkurt.
Ministri i Brendshëm i Türkiyes, Ali Yerlikaya në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetet sociale dje njoftoi se anija u nis nga Mersini. “Anija jonë e 14-të e ndihmave humanitare do të dërgojë 871 tonë ndihma humanitare në Gaza, përfshirë 10.460 tenda, 14.350 batanije, 20 kabina tualeti/dushi dhe 300 gjeneratorë”, tha ai.
“Ashtu si më parë edhe sot, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë të shtypurve dhe viktimave, do të vazhdojmë të shtrijmë dorën e ndihmës së kombit tonë të dashur për ata në nevojë. Ne jemi pranë vëllezërve tanë palestinezë”, ka thënë Yerlikaya.