MaqedoniTop Lajme

Tragjedia në Koçan, Toshkovski: MPB-ja punon intenzivisht në zbardhjen e rastit, do të ndalohen edhe shumë persona të tjerë

Shpërndaje

Ministria për Punë të brendshme (MPB) punon në mënyrë intenzive për zbardhjen e rastit të tragjedisë në Koçan, ku mbetën të vdekur 59 persona dhe qindra të lënduar.

“Janë arrestuar 13 persona, shitësi i biletave, 4 pjesëtar të sigurimit, pronari i diskotekës, disa inspektor si dhe një person tjetër që ndërlidhet me ngjarjen. Ndaj 11 personave është shqiptuar masa e paraburgimit 48 orësh. Për mjetet piroteknike do të dorëzohet raport në prokuroi. Nga hetimi gjatë ditës së djeshme janë konstatuar disa parregullsi në kuadër të objektit që është shfrytëzuar si diskotekë. Diskoteka jo që nuk ka pasur licencë por ka punuar në objekt të improvizuar”, tha Toshkovski, duke shtuar se klubi i natës në fjalë ka pasur vetëm dy aparate kundër zjarrit dhe se nuk ka pasur dyer për evakuim.

“Konstatuam se sistemi në Maqedoni është i korruptuar deri në atë nivel, që mund të themi lirisht se kemi gjendje katastrofale… Sot do të ketë një numër të madhe të personave që do të ndalohen, përfshi këtu edhe Ministrinë e Brendshme dhe institucione tjera, të gjitha institucionet që ndërlidhen me dhënien e lejeve. Maqedonia nuk ka sistem që do të ishte normal për të parandaluar një rast të këtillë”, tha Toshkovski, duke shtuar se tragjedi të këtilla ndodhin si rezultat i krimit dhe korrupsionit në shtet.

“Jo vetëm për rastin konkret, por edhe të gjitha diskotekave tjera që funksionojnë në Maqedoni do të realizohen kontrolle të rrepta që duhet të nxjerrin në sipërfaqe të gjitha lëshimet. Korrupsioni dhe krimi na sjellin në një situatë që ti humbim jetën e të dashurve tanë. Ose do të ndryshojmë sistemin në këtë shtet ose nuk do të ekzistojmë. Gjithsecili që ndërlidhet me këtë ngjarje në mënyrë direkte apo indirekte do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, tha Toshkovski duke nënvizuar se gjatë ditës së djeshme edhe kryetari i Koçanit ishte i thirrur në polici dhe është zhvilluar bisedë me te.

Në rast se konstatohet çfarëdo qoftë lëshimi nga ana e kryetarit të Koçanit, do të merren masa, dhe jo vetëm kundër tij, por ndaj secilit që do të konstatohen lëshime”, deklaroi Toshkovski. /Alsat.mk