Vjosa Osmani cakton datën e zgjedhjeve lokale, ja kur do të zhvillohen votimet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në vend, transmeton ALBAZONE MEDIA.
Siç njofton Zyra e Presidentes, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.
“Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor”, bëri të ditur Presidenca.
Presidentja Osmani u bën thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 17 tetor të vitit 2021.