Aliu: Shëndetësia do të planifikojë, do të parandalojë dhe do të përmirësohet çdo ditë
Me opinionin publik e ndaj vizionin për një sistem shëndetësor që nuk do të presë më për të reaguar, por do të parandalojë, planifikojë dhe përmirësohet çdo ditë, deklaroi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferencën e tij të parë për shtyp të mbajtur sot në Qeveri, duke prezantuar tre drejtimet kyçe për realizimin e këtij vizioni.
Ministri Aliu bëri të ditur se drejtimi i parë është zbatimi i projekteve nga Programi i Qeverisë 2024–2028, duke paralajmëruar se do të krijohet një pasqyrë e qartë për gjendjen aktuale, do të rishikohen planet e veprimit, të cilat do të zbatohen me intensitet të përforcuar dhe të matshëm.
“Zgjidhja e problemeve të grumbulluara ndër vite – probleme që janë lënë pas dore, janë shtyrë ose janë përkeqësuar – gjithmonë në kurriz të pacientëve. Tani ato nuk do të shtyhen më – por do të zgjidhen me vendosmëri”, tha ministri Aliu lidhur me drejtimin e dytë.
Vendosja e një kulture të re të planifikimit strategjik dhe afatgjatë është drejtimi i tretë i politikave të Ministrisë së Shëndetësisë, ku do të vihet theks te strategjitë kombëtare si dokumente thelbësore që do të jenë baza për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, politikisht të pavarur dhe të qëndrueshëm, që do t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi.
“Për të realizuar këto qëllime, po ndërtojmë një sistem të ri, të bazuar në pesë shtylla të forta, të cilat do të udhëheqin reformën dhe do ta transformojnë shëndetësinë në një shërbim më të drejtë, më efikas dhe më afër qytetarit”, tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Ai njoftoi se shtylla e parë do të jetë futja e planifikimit strategjik përmes një Harte Kombëtare të Nevojave Shëndetësore.
“Për herë të parë po ndërtojmë një hartë të plotë të nevojave shëndetësore sipas rajoneve dhe komunave, që do të tregojë ku mungojnë mjekë, pajisje, staf apo qendra funksionale. Vendimet për investime do të bazohen në fakte, jo në ndjenja apo ndërhyrje spontane. Çdo spital i ri, çdo furnizim dhe qendër shëndetësore do të jenë pjesë e një plani të qartë dhe të argumentuar”, shpjegoi ministri Aliu.
Transparenca dhe llogaridhënia në shërbimet shëndetësore përbëjnë shtyllën e dytë, me çka do të vendoset një platformë për ndjekjen e performancës në sistemin shëndetësor.
“Çdo qytetar do të ketë mundësi të shohë ku trajtohet më shpejt, ku janë rezultatet më të mira dhe ku ka nevojë për përmirësim. Nuk do të ketë më shifra që fshihen në sirtarë. Do të ketë informacione të hapura, të kuptueshme dhe të matshme, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm”, tha ministri Aliu.
Zhvillimi profesional dhe forcimi i burimeve njerëzore janë paralajmëruar si shtylla e tretë e sistemit të ri në shëndetësi.
“Shëndetësia nuk mund të funksionojë pa njerëzit që çdo ditë e mbajnë atë në funksion. Do të forcojmë trajnimin e mjekëve dhe infermierëve, do të kualifikojmë drejtorët e spitaleve dhe do të bëjmë një ndarje të qartë mes roleve klinike dhe atyre menaxheriale”, tha ministri Aliu, duke theksuar se do të kërkohen standarde profesionale dhe sisteme akreditimi që garantojnë cilësi dhe përgjegjësi në çdo institucion publik.
Duke paralajmëruar braktisjen e, siç e quajti, financimit të verbër, si shtyllë e katërt ministri Aliu e prezantoi financimin e qëndrueshëm dhe parandalimin, duke theksuar se spitalet do të mbështeten sipas popullatës që mbulojnë dhe rezultateve që arrijnë, ndërsa në kohë reale do të ndiqen fondet, barnat, kontratat dhe donacionet.
“Po prezantojmë partneritete të reja, fonde të BE-së dhe sigurim shëndetësor vullnetar për ta bërë sistemin të qëndrueshëm. Në këtë drejtim, sot e prezantojmë programin kombëtar – ‘Më herët, më mirë – Parandalimi fillon me ty’”, tha ministri Aliu, duke shpjeguar se ky program është një ftesë për kujdes dhe përgjegjësi për shëndetin personal.
Qëllimi i këtij programi është zbulimi i hershëm i sëmundjeve që mund të trajtohen në kohë dhe të shmangen komplikimet serioze.
“Çdo qytetar mbi 40 vjeç do të ketë të drejtën për kontrolle shëndetësore falas, për zbulimin e hershëm të diabetit, hipertensionit, sëmundjeve të zemrës dhe të mëlçisë. Parandalimi është arma më e fortë që kemi – dhe gjithçka fillon me një hap të thjeshtë: kujdesi për veten”, theksoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Si shtyllë qendrore, e pesta, e reformës së sistemit shëndetësor ai njoftoi digjitalizimin, pra në zemër të ndryshimit do të jetë teknologjia.
“Po ndërtojmë një sistem të plotë të shëndetësisë elektronike që përfshin: kartelë shëndetësore elektronike, receta dhe udhëzime digjitale, platforma që lidhin në mënyrë të sigurt dhe efikase pacientin me mjekun”, tha ministri Aliu.
Ai gjithashtu njoftoi për futjen e standardeve ndërkombëtare (SNOMED CT, HL7, CDA, IHE) si përgatitje për integrim me rrjetin evropian MyHealth@EU, duke garantuar siguri, qasje dhe barazi për çdo qytetar.
“Nuk po ndërtojmë vetëm një sistem modern – por një shëndetësi që mendon, që mat, që kujdeset dhe që vepron. Kjo është misioni ynë i përbashkët”, përfundoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në konferencën e tij të parë për shtyp.