MaqedoniTop Lajme

Aleanca për Shqiptarët: Bilall Kasami po shet historinë e shqiptarëve për ndërtim shumëkatëshe

Shpërndaje

“Skandal me përmasat e një afere kriminale po ndodh në zemër të Tetovës,” – kështu e nisi konferencën për shtyp Aleanca për Shqiptarët, nga hapësirat e ish-Monopolit në Tetovë, duke denoncuar atë që e quajti përvetësim klasik të pronës publike për interesa private dhe korruptive.

“Ndodhemi përpara një objekti me peshë të thellë historike dhe simbolike për shqiptarët,” theksoi përfaqësuesi i ASh-së, duke kujtuar se Monopoli ishte vendi ku në nëntor të vitit 1944 u grumbulluan mbi 10.000 shqiptarë dhe u masakruan qindra prej tyre, dhe po aty, vite më vonë, filloi edhe rrugëtimi i arsimit të lartë shqip me Universitetin e Tetovës.

Por sipas ASh-së, kjo hapësirë po zhduket nga harta e kujtesës kombëtare, në mënyrë jotransparente dhe të dyshimtë.

“Objekti po prishet pa asnjë standard mjedisor, në kundërshtim me normat e sigurisë publike, duke helmuar ajrin dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve,” thuhet në kumtesë.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, prona është shitur nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas është ndryshuar plani detal urbanistik, duke e kategorizuar parcelën si zonë ndërtimore.

“Ky manipulim i pronës publike ka rritur ndjeshëm vlerën tregtare të tokës dhe ka hapur rrugën për ndërtime komerciale që nuk i shërbejnë komunitetit,” akuzon ASh.

Partia gjithashtu thekson se kompania që bleu parcelën është në gjendje të rëndë financiare, afër falimentimit, çka rrit dyshimet për një marrëveshje të trukuar dhe lidhje të errëta të interesit.

“Më skandaloze është se kemi informacione jozyrtare për zbulimin e eshtrave gjatë punimeve në këtë hapësirë – eshtra që dyshohet se i përkasin viktimave të masakrës së Monopolit,” u tha në konferencë, duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të punimeve, hetim të thelluar dhe trajtim zyrtar të vendit si memorial kombëtar.

“Bilall Kasami thotë se veproi si paraardhësit, por qytetarët i ndëshkuan ata – dhe do ta ndëshkojnë edhe atë,” deklaroi ASh, duke rikujtuar se votat për ndryshimin e planit urbanistik u siguruan falë koalicionit të Lëvizjes Besa me VMRO-DPMNE-në.

Aleanca për Shqiptarët përfundoi duke i bërë thirrje institucioneve të drejtësisë:

“Të hapin hetim urgjent dhe të vendosin para përgjegjësisë ata që po shesin historinë, kujtesën dhe të ardhmen e Tetovës për interesa të ngushta.”