MaqedoniTop Lajme

Gashi: Zgjedhjet lokale do të shpallen në gjysmën e parë të gushtit

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi gjatë vizitës së sotme në Tetovë, në pyetje të gazetarëve paralajmëroi se zgjedhjet lokale do të shpallen në gjysmën e parë të gushtit. Sipas tij, ajo periudhë është një afat i përcaktuar ligjërisht.

“Presim edhe pak për të parë nëse mund të miratojmë ligje dhe të mos pengojmë punën e institucioneve të tjera. Do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë këto ditë në maksimum. Dhe në një datë të caktuar, që është brenda afateve ligjore, do t’i shpallim zgjedhjet, por kjo do të jetë në gjysmën e parë të gushtit”, tha Afrim Gashi, i cili pati një takim me Bilall Kasamin, kryetarin e Komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes Besa.

Kasami, me kërkesë të gazetarëve i ka komentuar vendimet e kryesisë së BDI-së për të nominuar Bajram Rexhepin dhe Bujar Osmanin si kandidatë për kryetar komune në Tetovë dhe Çair. Unë garantoj se kandidatët e “Vlenit” si për Tetovën ashtu edhe për Çairin do të jenë shumë më të mirë, ata do të jenë kandidatë të qytetarëve dhe për qytetarët”, vlerësoi Kasami.

“Nëse them nga pozicioni që ai ka në parti, ai është personi i dytë pas Ahmetit, por realisht nuk është ajo që qytetarët e Tetovës prisnin nga BDI-ja dhe koalicioni i tyre. Vlerësojmë se BDI-ja ka shumë kandidatë të tjerë më të mirë, por prapë është vendim i tyre. Nëse më jepet mundësia për Tetovën, sigurisht që do të kemi diçka për të ofruar. Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të jemi në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, dhe qytetarët janë ata që do të vendosin nëse do të pranojnë një opsion apo një tjetër. Në Çair, unë gjithashtu besoj se Bujar Osmani nuk është një kandidat i përshtatshëm, BDI gjithashtu ka mundësi më të mira atje, por ky është vendim i tyre”, theksoi Bilall Kasami.

Në Tetovë, përveç takimit me Kasamin, Afrim Gashi ka planifikuar bisedime me drejtuesit e disa institucioneve, si dhe do të vizitojë zyrën e deputetëve për kontakt me qytetarët.