Kurti bëri homazhe pranë varrit të veprimtarit Adem Demaçi
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar sot në mëngjes bënë homazhe dhe vendosen lule të freskëta pranë varrit të veprimtarit të shquar, Adem Demaçit, Bacës Adem, në 7-vjetorin e vdekjes së tij.
Postimi nga KURTI:
Në përvjetorin e shtatë të ndarjes nga jeta, sot në mëngjes vendosëm lule të freskëta te varri i Adem Demaçit, Bacës Adem, në Prishtinë.
Adem Demaçi është disidenti më i madh evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. 28 vjet në burg – i pathyeshëm, i palodhshëm, i pandalshëm. Pas secilës burgosje e dënonin më shumë, e mbanin më gjatë: fillimisht 3 vjet, pastaj 10 vjet, mandej 15 vjet!
Adem Demaçi ishte mendja e fuqishme dhe zëri i guximshëm i cili si askush tjetër i artikuloi interesat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në ish Jugosllavi, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Kur nuk kishin shkolla shqiptarët, Adem Demaçi ishte mësuesi, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre, e kur nuk kishin ushtri ai ishte luftëtari.
Si luftëtar i mendimit dhe i fjalës së lirë dhe si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut, më 4 dhjetor 1991, me nismën e deputetes Doris Pack, Parlamenti Evropian ia dha Adem Demaçit, Çmimin “Sakharov”. Ai i kishte kaluar plot 28 vite në burg, krahasueshëm me fituesin e parë të Çmimit “Sakharov”, Nelson Mandelan, aktivistin jugafrikan që kishte qenë 27 vite i burgosur. Njësoj sikur Mandela në Afrikën e Jugut, Adem Demaçi do të kundërshtonte apartheidin dhe segregacionin e Serbisë në Kosovë, edhe si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në vitet 1991 – 1995. Në fjalimin e tij kur e mori çmimin Sakharov Adem Demaçi tha ‘’logjika e blloqeve e bllokon logjikën’’ ai angazhohej për bashkëpunim dhe paqe, Adem Demaçi ishte kështjella që e donte urën dhe luftëtari që e donte paqen.
Përveç kontributit të pamatshëm për çështjen kombëtare, nga ditët studentore në vitet e ‘50-ta e deri te përfaqësimi politik i UÇK-së në vitet e ‘90-ta, Adem Demaçi la edhe shumë vepra të shkruara. Gjeneratave të reja iu sugjeroj që leximin ta fillojnë me librin “Dashuria kuantike e Filanit” pastaj me “Libër për Vetëmohimin” dhe sigurisht me “Gjarpërinjtë e Gjakut”.
Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim. Ai e dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston. Ai është veprimtari më unik që kemi pasur sepse është veprimtari më autentik që mund ta imagjinosh. Prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend.