Mickoski: Shkupi sot është simbol i rezistencës dhe solidaritetit
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi sot se tërmeti që para 62 vitesh goditi Shkupin na kujton se jeta mund të ndryshojë në një çast, por edhe se në momentet më të vështira, solidariteti dhe humaniteti janë më të rëndësishmet për ripërtëritjen.
“Tërmeti na rikujton se jeta mund të ndryshojë në një çast. Por edhe se në momentet më të vështira, solidariteti, humaniteti dhe bashkësia janë themeli mbi të cilin mund ta rindërtojmë qytetin. Shkupi sot është simbol i rezistencës dhe solidaritetit!”, shkruan Mickoski në një postim në Fejsbuk.
Kryeministri rikujtoi se kanë kaluar 62 vjet që nga tërmeti ku Shkupi përjetoi momentin më të vështirë në historinë e vet.
“Tërmeti që shkatërroi qytetin mori mbi 1.000 jetë, mijëra u lënduan, ndërsa qindra mijëra mbetën pa strehë. Sot, pas 62 vitesh, kujtojmë jo vetëm dhimbjen, por edhe dritën që sollën njerëz nga e gjithë bota”, theksoi ai.
Ai gjithashtu rikujtoi se mbi 80 vende dërguan ndihmë, ekipe mjekësore, ushqim, tenda dhe mbështetje.
“Kombet e Bashkuara e shpallën Shkupin qytet të solidaritetit botëror dhe ishte pikërisht ajo dorë e zgjatur nga e gjithë bota që ndihmoi rindërtimin e qytetit”, theksoi Mickoski.