RajoniTop Lajme

Dita e fundit në kuadër të afatit kushtetues: Dështon përpjekja e parë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Shpërndaje

As në përpjekjen e parë të ditës së fundit në kuadër të afatit kushtetues, deputetët nuk arritën të konstituojnë Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit të Kosovës, por ata do të provojnë përsëri sot nga ora 22:00, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 107 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 56 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

“Për tash ndërpritet seanca, në kuadër të përpjekjeve për themelimin e Kuvendit të Kosovës, takohemi sonte në orën 22:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Më 24 korrik Gjykata Kushtetuese mori vendim që të “ngrijë” çdo vendim dhe veprim të deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Ndërkohë, presidentja e vendit Vjosa Osmani tashmë është në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, pasi iu drejtuav asaj me kërkesë për sqarim mbi atë se çfarë ndodhë nëse kalohet afati 30 ditor, apo data 26 korrik, pa u konstituuar Kuvendi.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por, pa bërë të ditura pasojat e moszbatimit të këtij afati.

Partitë politike që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk arritën të vinin tek një konsensus politik për zhbllokimin e formimit të institucioneve të reja.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.