Taravari: Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më keq se me Qeverinë VMRO–VLEN
Kryetari i Alencës për Shqiptarët dhe ish-ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari në një intervistë për VOX Kosova theksoi se gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është më e rënda nën qeverisjen aktuale.
“Nuk e konsideroj, e di, dhe bashkë me mua e di shumica dërrmuese,” deklaroi Taravari për VOX Kosova.
Ai theksoi se shqiptarët janë jo vetëm të anashkaluar, por të nëpërkëmbur – nga gjuha, te punësimi dhe deri tek orientimi evropian i vendit.
Sipas tij, “fryma sllavo-serbe” po e kthen vendin pas në kohë dhe po e zhbën orientimin euro-atlantik.
Ai e kritikoi kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, për retorikën e tij gjithnjë e më nacionaliste. “Kam respekt për çdo patriot, përfshirë Mickoskin, por fatkeqësisht ai humbi kthjelltësinë politike,” tha Taravari. Ai shtoi se retorika nacionaliste dhe me “nuanca separatiste” e Mickoskit nuk i shkon për shtat as Evropës së shekullit XXI, e aq më pak një vendi multietnik si Maqedonia e Veriut.
Sipas tij, largimi nga qeveria Mickoski-VLEN nuk ishte i rastësishëm. Taravari thotë se arsyeja kryesore ishte afrimi i qeverisë me “botën serbe”. “Ky afrim automatikisht na largoi nga rruga e BE-së. Në Bruksel ka shqetësime serioze për ndikimin serbo-rus në Maqedoni,” theksoi ai. Taravari paralajmëroi se shqiptarët duhet të jenë “rojet e demokracisë evropiane” dhe jo viktimat e planeve ideologjike të Beogradit dhe Moskës.(INA)