Forcim i bashkëpunimit akademik dhe kulturor mes UNT-së dhe ITSHKSH-së
Shkup, 20.08.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, zhvilloi sot një takim pune me ushtruesin e detyrës drejtorin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Maqedoninë e Veriut, Dr. Besnik Emini.
Rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektorët Prof. Inor. Dr. Fati Iseni dhe Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, e njoftoi u.d. drejtorin Emini mbi zhvillimet e fundit në UNT, me theks të veçantë në parapërgatitjet për regjistrimet e studentëve në vitin e ri akademik 2025/26, avancimin e programeve studimore, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nga ana e tij, u.d. drejtori Emini e informoi rektorin Fetaji për veprimtaritë shkencore dhe kulturore të ITSHKSH-së, me fokus në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në RMV, si dhe projektet kërkimore të realizuara dhe të planifikuara në bashkëpunim me institucione të tjera akademike.
Të dy institucionet shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin, duke përfshirë bashkëorganizime të përbashkëta, ndër të cilat edhe aktivitetet kushtuar Ditëve të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza, me qëllim afirmimin të vlerave humaniste dhe kulturore në shoqëri.
#UNT #ITSHKSH #BashkëpunimAkademik #NënëTereza #GonxheBojaxhiu #Shkup