RajoniTop Lajme

​Kushtetutshmëria në pikëpyetje, propozimi i Rashiq dhe votimi për Rexhepin kontestohen

Shpërndaje

Antikushtetuese dhe në shpërputhje me aktgjykimin e fundit të këtij institucioni po konsiderohet vendimi që përmes procedurës së ndarë të votimit të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës nga komunitetet jo shumicë.

Avokatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq nuk ka të drejtë dhe nuk mund të propozohet për nënkryetar të legjislativit nëse nuk propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, rrjedhimisht Listës Serbe. Madje, kërkohet që edhe procesi i votimit të nënkryetares nga komunitetet joserbe, Emilja Rexhepi të përsëritet pasi sipas tyre, votimi i dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë duhet të bëhet në pako. Në të kundërtën, të njëjtit theksojnë se nëse ky rast dërgohet në Gjykatë Kushtetuese e njëjta do të shpallë se zgjedhja e tyre ka qenë jokushtetuese.

Kuvendi i Kosovës, të martën zgjodhi Dimal Bashën kryeparlamentar si dhe katër nënkryetarë, mirëpo dështoi të zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti serb, rrjedhimisht dështoi të zgjidhet kryesia që do të konstituonte legjislaturën e nëntë.

Vendimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha që përmes shortit të zgjidhen emrat e deputetëve nga komuniteti serb dhe të hidhen në votim për nënkryetar të Kuvendit vlerësohet se është devijim nga Rregullorja e Kuvendit, pasi Lista Serbe kishte propozim për nënkryetar dhe se i njëjti do të vlente nëse s’ka propozim për nënkryetar.

Avokati, Ardian Bajraktari, thotë për KosovaPress se zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet në pako, sikurse ka ndodhur në praktikat e kaluara parlamentare.

Sipas tij, edhe propozimi për nënkryetar nga komuniteti serb në Kuvend duhet të vijë nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë atë komunitet, në rastin konkret Lista Serbe.

Prandaj, Bajraktari thotë se deputeti nga komuniteti serb në Kuvend, Nenad Rashiq nuk mund të propozojë vetën, mirëpo një gjë e tillë duhet të vijë nga Lista Serbe.

“Tentativa për të devijuar nga praktika e deritashme është në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë aktgjykimin e fundit, sipas të cilit në pikën njëqind e pesëdhjetë e gjashtë obligohen deputetët që sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se tridhjetë ditë nga publikimi i aktgjykimit të zgjedhin kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë. Ndër të tjera në pajtim me praktikën e deriatëhershme parlamentare, e cila natyrisht që nënkupton që nënkryetarët të zgjidhen në dy pako, fillimisht anëtarët e Kryesisë, përkatësisht nënkryetarët nga radhët e komunitetit shumicë dhe pastaj anëtarët e Kryesisë nga radhët e dyja komuniteteve, përkatësisht komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Tentativa për të devijuar, përkatësisht për ta ndryshuar krahët e praktikash, është në shpërputhje me aktgjykimin dhe rrjedhimisht edhe në shpërputhje me Kushtetutën. Për më tepër, synimi i kujtdo qoftë për të propozuar ose për të zgjedhur dikë, i cili nuk përfaqëson shumicën e komunitetit brenda vendit, në bindjen time është në shpërputhje edhe me vetë parimet mbi bazën e të cilave është ndërtuar dhe funksionon vendi ynë sipas parimeve kushtetuese. Për më tepër është edhe në kundërshtim me vetë Rregulloren e punës së Kuvendit për faktin se neni dymbëdhjetë paragrafi gjashtë e përcakton qartazi që përfaqësuesit, përkatësisht anëtari i Kryesisë nga radhët, në këtë rast të komunitetit serb, propozohet nga shumica e deputetëve që e përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thekson ai.

E, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se votimi i ndarë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë është shkelje e Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe praktikave të deritanishme parlamentare.

Ai thekson se nëse Kuvendi voton të enjten Rashiqin për nënkryetar, rasti shumë lehtë mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe e njëjta të konstatojë se zgjedhja e dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë ka qenë jokushtetuese.

“Në rastin konkret kishim të bëjmë me shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së tanishme parlamentare. Kjo situatë tani tregon se kemi një skenar të ri për bllokimin e Kuvendit të Kosovës… Procesi i votimit duhet të jetë në pako, meqenëse këto dy aspekte nuk janë përmbushur, në rastin konkret i bie se edhe zgjedhja e zonjës Rexhepi ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe kemi të bëjmë me shkelje të dyfishtë të Kushtetutës, si në përzgjedhjen e zonjës Rexhepi nga komuniteti joserb, e po ashtu edhe mohimin e së drejtës së komunitetit serb për t’u përfaqësuar në Kryesinë e Kuvendit… Nëse ky rast shkon në Gjykatën Kushtetuese, bazuar në Kushtetutë dhe praktikën e deritanishme parlamentare ka pritje të arsyeshme se ky vendim dhe kjo mënyrë e zgjedhjes së nënkryetarëve do të konstatohet si kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, thekson ai.

Kuvendi i Kosovës nesër do të vazhdojë përpjekjen e 59 për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Të zgjedhurit e popullit pritet të vazhdojnë seancën konstituive në pikën e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi kryetari i Kuvendit dhe katër nga nënkryetarët janë zgjedhur pas bllokadës gjashtë mujore në Kuvend.

Zhbllokimi i situatës erdhi vetëm pasi disa prej deputetëve të PDK-së dhe AAK-së votuan për zgjedhjen e deputetit të LVV-së, Dimal Basha si kryetar të Kuvendit, pasi i njëjti nuk ishte pjesë e kabinetit qeveritar në detyrë. /kp