MaqedoniTop Lajme

BDI: Policia nuk është shtab zgjedhor – Pokuroria, MPB dhe KSHZ ta hetojnë Izetin

Shpërndaje

Dje, para syve të gjithë opinionit, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pranoi se ka takuar policët shqiptarë të Çairit, Sarajit dhe Butelit. Madje nuk e mohoi se takimi është mbajtur në sallën e Këshillit të Komunës, në praninë e ndihmësministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Koka, vëllai i dhëndrit të tij.

Ky është skandal i rëndë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit! Ligji për Policinë përcakton se policia është institucion i pavarur dhe neutral politikisht, e cila vepron vetëm në kuadër të kompetencave dhe detyrave ligjore. Ndërsa Kodi Zgjedhor ndalon kategorikisht përfshirjen e administratës shtetërore dhe shfrytëzimin e resurseve publike për qëllime partiake dhe zgjedhore.

Ne si BDI kërkojmë publikisht:
– Në çfarë cilësie një kandidat për kryetar komune thërret dhe takon policë?
– A ka qenë ky takim me dijeninë dhe autorizimin e ministrit të Punëve të Brendshme?
– Çfarë është diskutuar dhe a është kërkuar nga policët të ushtrojnë presion mbi qytetarët?

Nëse këto akuza vërtetohen, kemi të bëjmë me përdorim të policisë si instrument politik, gjë që përbën krim zgjedhor dhe shkelje të rëndë të rendit demokratik.
BDI i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë Publike që menjëherë të hapin hetime dhe të informojnë opinionin se kush e ka urdhëruar këtë takim dhe çfarë është kërkuar nga pjesëtarët e policisë.
Çairi nuk do të lejojë frikësim e kërcënime! Ne do të mbrojmë çdo qytetar dhe çdo votë. Zgjedhjet e 19 tetorit do të jenë referendum për demokracinë dhe lirinë, jo për shtetin policor të Izet Mexhitit dhe klikës së tij.