Kryeministrja italiane, Meloni: Izraeli nuk ka të drejtë të pengojë krijimin e shtetit palestinez
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaroi se Izraeli ka përdorur forcë joproporcionale dhe ka tejkaluar kufijtë në sulmet e tij të vazhdueshme në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Meloni foli në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York të SHBA-së.
Ajo theksoi se 80 vjet pas themelimit të OKB-së, paqja, dialogu dhe diplomacia janë të pamjaftueshme për të bindur ose mbizotëruar në botën e sotme dhe se përdorimi i forcës është më i vlefshëm.
Duke kujtuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022, Meloni tha: “Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka shkelur qëllimisht Nenin 2 të Kartës së OKB-së, ka shkelur integritetin dhe pavarësinë politike të një shteti tjetër sovran dhe ka ndjekur qëllimin e aneksimit të territorit të saj. Edhe sot, ajo refuzon të ulet në tryezën e paqes”.
Meloni mbrojti idenë e saj se OKB-ja është në një situatë të ndarë.
“Hamasi shfrytëzoi këtë dobësi për të sulmuar Izraelin. Izraeli fillimisht reagoi në mënyrë legjitime, pasi çdo vend ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Megjithatë, përgjigjja ndaj sulmeve duhet të respektojë parimin e proporcionalitetit. Kjo vlen për individët dhe shtetet. Izraeli e ka kaluar këtë vijë me një luftë në shkallë të gjerë duke përdorur forcë joproporcionale kundër popullit palestinez”, tha ajo.
Meloni potencoi se Izraeli ka shkelur normat humanitare dhe ka shkaktuar masakër të civilëve. “Kjo zgjedhje të cilën Italia e ka konsideruar vazhdimisht të papranueshme, do të na çojë në miratimin e disa prej sanksioneve të propozuara nga Komisioni Evropian kundër Izraelit”, shtoi ajo.
Kryeministrja italiane tha se dëshiron zgjidhje që do të përmirësojnë situatën e fëmijëve në Gaza dhe se Italia mbështet një armëpushim të përhershëm dhe një zgjidhje me dy shtete.
“Izraeli nuk ka të drejtë të pengojë krijimin e një shteti palestinez ose të ndërtojë vendbanime të reja në Bregun Perëndimor. Në të njëjtën kohë, ne besojmë se duhet të ketë dy parakushte të domosdoshme për njohjen e shtetit të Palestinës: lirimi i pengjeve dhe përjashtimi i Hamasit nga çdo dinamikë qeveritare brenda Palestinës”, tha Meloni.