RajoniTop Lajme

“Biri i Kosovës, urime ditëlindjen e 85-të” – Kurti nderon çiftin DioGuardi që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur mirënjohje dhe respekt të thellë për dy nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Joe dhe Shirley DioGuardi, me rastin e ditëlindjeve të tyre të 85-të dhe 75-të.

Përmes një postimi Kurti vlerësoi rolin historik të ish-kongresistit Joe DioGuardi në fuqizimin e zërit të shqiptarëve në politikën amerikane, në një kohë kur çështja e Kosovës kishte pak vëmendje ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi.
Teksa ai qëndronte në krah të vërtetës dhe popullit tonë, përkrah tij qëndronte bashkëshortja e tij, Shirley. Bashkë, lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja të mos përsëritej; mbrojtën UÇK-në si një ushtri çlirimtare me një kauzë të drejtë; bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhej të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet; dhe deri më sot, kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për t’u siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon, mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë.
Mbrëmë Joe festoi ditëlindjen e 85-të, kurse Shirley të 75-të. Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij.
Gëzuar! Qofshi të bekuar me shëndet dhe gëzim!