OpinioneTop Lajme

“Paketa e Maleve” Premtim zhvillimi apo paketa e re e mbivendosjes së pronësisë?

Shpërndaje

Nga: Një shqiptare në mërgim, por me shpirtin në Shqipëri. Dhe ndoshta nga çdo shqiptar që e do Shqipërinë!
Drejtuar: Qeverisë Shqiptare!
Si një shqiptare që e do Shqipërinë, më gëzon zemra për çdo nismë që synon zhvillimin e vendit.
Çdo projekt që mund të ringjallë fshatin, të sjellë jetë në malet tona, të krijojë punë e shpresë sigurisht që meriton vëmendje, madje edhe entuziazëm.
Por, po aq sa më gëzon ideja e zhvillimit, më shqetëson mënyra si shpesh ai kërkohet të arrihet: me nxitim, pa transparencë, me një arrogancë institucionale që harron njerëzit për të cilët supozohet të punojë.
Kryeministri, me të njëjtin inat dhe padurim që kërkoi “hartat” nga bashkitë, do të duhej të kërkonte me të njëjtin ngulm edhe pse Shqipëria po boshatiset, pse fshatrat janë pa dritë e pa rrugë, pse të rinjtë ikin dhe pse korrupsioni s’po ndalet.
Në vend të pyetjeve që shërojnë plagët e vendit, ai hap avaze të vjetra me mënyra të reja.
Po promovohet si zgjidhje për zonat malore dhe të braktisura një projekt që mban të njëjtën mjegull ligjore që dikur, me Ligjin 7501, na la me gjyqe pa fund, tituj të mbivendosur dhe nxiti vëllavrasjen.
Sot, nën petkun e “zhvillimit”, shteti po e centralizon pushtetin dhe po anashkalon bashkitë.
Vendimet merren larg terrenit, larg njerëzve që e njohin tokën me emër, histori dhe djersë.
Projekte dhe investime të paqarta, ku flitet për miliona euro dhe pa u bërë e qartë si do zbatohet duke na lënë të besojmë se do të përfundojnë sërish te të njëjtat duar që zaptuan bregdetin.
Sipas BIRN, kjo nismë mund të nxisë konflikte sociale, pasi parashikon që bashkitë të kalojnë tokë publike apo private te investitorët, duke i quajtur banorët “posedues jopronarë”.
Dhe këtu qëndron rreziku i vërtetë: ligji nuk përcakton qartë kush është pronar dhe kush përdorues.
Pronari mbetet një hije me dokumenta në duar që endet në zyrat e shtetit.
Kjo nuk është reformë, por një kaos i institucionalizuar.
Ndërkohë, Shqipëria po zbrazet.
Fshatrat heshtin, shtëpitë rrënohen, rinia largohet , jo vetëm nga varfëria, por nga mungesa e besimit. Shumë akuza, SPAK është kthyer kryefjala e ditës, por Paratë ngelen të pagjetura. E aq më shumë varfërohet Shqipëria.
E megjithatë, qeveria flet për “zhvillim” ndërkohë që nuk ka ndërtuar ende besim, as drejtësi, as garanci për jetesën. Flasin me emra të mëdha me përgjegjësi personale, por çdo veprim të çon në faktin që Fati I Shqipërisë dhe Shqiptarëve shkruhet nga e njëjta dorë.
Zonat e braktisura nuk ringjallen pa shqiptarë dhe pa ata që e duan, e mbjellin dhe e ruajnë.
Dhe pa shqiptarë s’ka Shqipëri.
#SB @highlight