RajoniTop Lajme

Rasti Banjska, seanca e radhës caktohet për 16 janar

Shpërndaje

Në seancën gjyqësore për sulmin në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, trupi gjykues ka marrë vendim që dëshmia e dëshmitares Dragana Antonijeviq, e dhënë më herët, të merret parasysh pas mungesës së saj në seancë, raporton Ekonomia Online.

Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur të pranojë propozimin e palës mbrojtëse që në këtë proces gjyqësor të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër i propozuar nga mbrojtja.

Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, tha se dëshmitarja ishte thirrur rregullisht në këtë shqyrtim gjyqësor, por kishte refuzuar ta pranonte ftesën dhe kishte shprehur vullnetin për të mos dëshmuar, pa paraqitur arsye ligjore për këtë refuzim.

“Meqë dëshmitarja është thirrur rregullisht në këtë shqyrtim gjyqësor, por e njëjta ka refuzuar ta pranojë ftesën, duke shprehur vullnetin e saj për të mos dëshmuar pa paraqitur arsye ligjore, janë plotësuar kushtet që procesverbalet mbi deklaratat e mëparshme të lexohen. Dëshmitarja ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe kjo deklaratë është dokumentuar. Gjykata ka bërë përpjekje reale për praninë e dëshmitares, por pa sukses. Duke u mbështetur në dispozitat përkatëse, propozoj që deklarata e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtëpërdrejtë në këtë proces gjyqësor”, tha ai.

Edhe avokatët e të akuzuarve propozuan që dëshmia e dëshmitares të lexohet në këtë seancë, por njëkohësisht u kërkua që ajo të thirret sërish nga gjykata për t’u paraqitur në një seancë tjetër.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se propozimi i prokurorit aprovohet, pasi ka bazueshmëri ligjore.

“Aprovohet propozimi i prokurorit, pasi i njëjti ka bazueshmëri ligjore. Dëshmitarja, edhe pse i është dërguar ftesa, nuk gjendet në Kosovë, por në Serbi. Bazuar në këto shkaqe, lexohet dëshmia e saj”, tha Hoti.

Në vazhdim, prokurori Abazi kundërshtoi propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosalvoviq, duke thënë se ky propozim është i vonuar dhe në kundërshtim me parimet e Kodit të Procedurës Penale.

“Ky propozim është paraqitur me vonesë dhe pa arsye. Lejimi i këtij dëshmitari shkel parimin e barazisë së palëve në procedurë. Dëshmitari është jorelevant për këtë çështje, ndërsa propozimi i mbrojtjes është i paqartë dhe i papranueshëm”, tha ai.

Avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Jovana Filipoviq, tha se qëndrimi i Prokurorisë së Shtetit nuk qëndron, duke theksuar se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja mund të kenë dijeni relevante për rastin.

“Nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit se cilat prova i shkojnë në favor mbrojtjes e cilat jo”, tha ajo.

Pas shqyrtimit të propozimeve, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi se aprovohet propozimi i mbrojtjes që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Millosh Radosalvoviq.

Seanca e radhës është caktuar për më 16 janar, në orën 09:30.