Lufta për naftën e Putinit, sauditët përpiqen të blejnë të gjithë asetet e huaja të Lukoil
Sauditët kanë paraqitur një nga ofertat më serioze për blerjen e të gjithë aseteve të huaja të kompanisë ruse Lukoil, në një zhvillim që përbën një kthesë të fortë në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Një nga kandidatët kryesorë për këtë blerje është kompania saudite Midad Energy, pjesë e një holdingu të madh me aktivitet në të gjithë Lindjen e Mesme. Lukoil është goditur nga sanksione të ashpra amerikane ndaj naftës ruse, të cilat kanë hyrë në fuqi më 21 nëntor.
Sipas Reuters, Midad synon të paguajë përmes fondeve të depozituara në një llogari garancie të bllokuar, deri në heqjen e sanksioneve. Në këtë transaksion pritet të përfshihen edhe kompani amerikane. Midad është filial i Al Fozan Holding, e renditur ndër ndërmarrjet familjare më të fuqishme të Arabisë Saudite, sipas Forbes.
Këto kompani lidhen drejtpërdrejt me monarkinë saudite dhe me princin e kurorës Mohammed bin Salman. Administratori i Midad Energy, Abdullah Al-Aiban, është vëllai i këshilltarit për sigurinë kombëtare të Arabisë Saudite, Musaed Al-Aiban. Ky i fundit ka marrë pjesë në negociata mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, sipas burimeve nga sektori energjetik. Analistët vlerësojnë se sanksionet amerikane mund të përdoren për interesa financiare dhe politike, raporton La Stampa.
Ndërkohë, Rusia po përjeton pasoja të rënda ekonomike nga kufizimet ndaj naftës dhe gazit. Të ardhurat ruse nga këto burime kanë rënë me rreth një të tretën në baza vjetore. Lukoil zotëron asete strategjike në Europë, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Latine, me një portofol prej rreth 22 miliardë dollarësh./tvklan.al

