SHGM dhe SPGPM: Çfarëdo rezolute nuk guxon të ndikojë në lirinë e shprehjes së gazetarëve
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatikë (SPGPM) theksojnë se disa formulime në Rezolutën për migracionin, të dorëzuar në Kuvend nga partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës, e që lidhen me fjalimin publik dhe raportimin mediatik, janë problematike. Me këtë rast, theksojmë se nuk hyjmë në thelbin politik, të sigurisë apo strategjik të rezolutës, as në debatin për politikat migratore.
Disa formulime në rezolutë, të cilat kanë të bëjnë me fjalimin publik, dezinformatat dhe shkeljen e supozuar të rendit dhe qetësisë publike, në këtë formë të përgjithshme, të pa theksuar mirë, mund të jenë problematike nga aspekti i lirisë së mediave dhe të drejtës për informim.
Veçanërisht shqetësues është fakti se në rezolutë krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet “dezinformatave”, “përhapjes së panikut” dhe zbatimit të dispozitave të Kodit Penal dhe ligjeve të tjera, pa një dallim të qartë dhe të padiskutueshëm ndërmjet propagandës politike, mendimit publik dhe raportimit profesional gazetaresk. Formulime të tilla lënë hapësirë për interpretime të gjera dhe keqpërdorime të mundshme, çka mund të ketë efekt dekurajues ndaj mediave dhe gazetarëve.
Rikujtojmë se, në një shoqëri demokratike, roli i mediave është të shqyrtojnë në mënyrë kritike deklaratat dhe politikat e të gjithë bartësve të pushtetit, përfshirë edhe përmes parashtrimit të pyetjeve, analizës dhe transmetimit të informatave me interes publik, edhe kur ato informata janë të pakëndshme ose kontroverse për pushtetin. Një raportim i tillë nuk guxon të barazohet me “dezinformata”, “manipulime”, “skenarë të rremë” apo kërcënim për rendin dhe qetësinë publike, përderisa bazohet në standarde profesionale dhe etike të gazetarisë.
Nëse ekzistojnë dyshime për raportim joetik ose joprofesional, rikujtojmë se në vend tashmë ekzistojnë mekanizma të vendosur të vetërregullimit, siç janë Këshilli i Etikës në Media dhe Këshilli i Nderit, të cilët janë rruga e vetme e duhur për veprim në raste të tilla, në vend të zgjidhjeve përmes akteve të përgjithshme politike me efekt potencialisht kufizues ndaj lirisë së shprehjes.
U bëjmë thirrje institucioneve që, gjatë miratimit të rezolutave, deklaratave apo akteve të tjera, të jenë veçanërisht të kujdesshme në formulimin e pjesëve që lidhen me mediat dhe fjalimin publik, me qëllim që të mos krijohet përshtypja e presionit, censurës apo kërcënimit ndaj lirisë së shprehjes, e cila garantohet me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Mediat e lira, profesionale dhe të pavarura, si dhe mbrojtja e të drejtave të gazetarëve, janë shtyllë kyçe e shoqërisë demokratike dhe e interesit publik.

