Rajoni

Qeveria: Nuk ka më asnjë arsye që masat e BE-së të mos hiqen krejtësisht

Shpërndaje

Qeveria në detyrë ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen edhe 50% të masave ndëshkuese. Në një përgjigje për RTV21 këshilltari i zëvendëskryeministri në detyrë, Klisman Kadiu tha se Kosova në vazhdimësi i ka plotësuar kushtet e vendosura nga BE dhe se nuk ka më asnjë arsye që masat të mos hiqen krejtësisht. “Sa i përket pyetjes tuaj të shtruar rreth masave, ndonëse i vonuar, është i mirëpritur vendimi për heqjen tashmë të shumicës së masave.

Kosova në vazhdimësi i ka plotësuar kushtet e vendosura nga BE, i fundit në lidhje me transferimin e pushtetit lokal në katër komunat në veri pas zgjedhjeve të 9 nëntorit, i cili ndodhi në mënyrë ligjore dhe të qetë. Nuk ka më asnjë arsye që masat të mos hiqen krejtësisht”, tha për RTV21, këshilltari i zëvendëskryeministri në detyrë, Klisman Kadiu.

Gjatë ditës Bashkimi Evropian bëri të ditur se pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025, do të lirojë më tej rreth 50% të ndihmës financiare, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro.

“Kjo do të mundësojë: nënshkrimin e kontratave për 4 projekte (që gjithsej përfaqësojnë 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe nisjen e zbatimit të tyre; si dhe përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura IPA III të dedikuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit nga Komisioni në pranverën e vitit 2026, i cili do të mundësonte që projektet e para të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026)”, tha pwr RTV21 një zëdhënës i Komisioni Evropian.