VLEN-i përfaqësohet nga Bilall Kasami në takimin e liderëve me kryeministrin Mickoski
Ahmeti nuk ka vendosur akoma nëse do të jetë pjesë e takimit të liderëve të cilin e ka paralajmëruar kreu i qeverisë Hristijan Mickoski. Nga BDI-ja thonë se vendimi do të merret sot ose nesër. Ftesa është dërguar te të gjithë partitë që kanë grup parlamentar dhe vlen për kryetarin dhe koordinatorin e grupit parlamentarë.
“Do të varet nga vetë kryetari dhe këshilli qendror të cilët do të marrin vendim bashkë me kryetarin a do të jenë pjesë e asaj”, thonë nga BDI.
Nga partia e Ahmetit nuk u përgjigjën në pyetjen në kanë kërkesa specifike me të cilat eventualisht do të uleshin në këtë takim dhe cilat do të jenë ata kërkesa.
VLEN-i në takimin e liderëve do të përfaqësohet nga Bilall Kasami. Kasami për Alsat konfirmoi pjesëmarrjen kurse ai do të shoqërohet nga koordinatori i grupit parlamentar Bekim Qoku.
Nga partia shqiptare në pushtet për momentin nuk konfirmojnë nëse do të kenë kërkesa të posaçme si tema që duhet të hapen në këtë takim.
Kryeministri tha ditë më parë se nevoja për takim liderësh vjen pas çështjeve të rëndësishme që duhet të hapen si shfuqizimi i qeverisë teknike dhe ligjet reformuese. Megjithatë ftesa drejtuar liderëve nuk përmban asgjë konkrete. Aty shkurt thuhet se në takim do të flitet për gjendjen politike dhe ekonomike në shtet, dhe të tjera.
Takimin e ka refuzuar kreu i LSDM-së Venko Filipçe duke thënë se nuk ulet në takim me kriminelë dhe nuk pranon shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike.
I ftuar në këtë takim është edhe kreu i Të Majtës Dimitar Apasiev dhe koordinatori i grupit parlamentar. E Majta konfirmon se do të marrë pjesë por ka kërkesa specifike që lidhen me demokratizimin e procesit zgjedhor.
“Vlerësojmë se si parti politike e cila përpiqet të hyjë në komunikim me shumicën përmes propozimit të ligjeve, propozimit të konsensusit për çështje shtetërore, tani është koha të hymë në dialog konstruktiv dhe ta pasurojmë këtë proces me rekomandime pozitive sepse për ne është e rëndësishme që të kemi atmosferë sa më demokratike në zgjedhje dhe kërkesat tona do të jenë në këtë drejtim”, deklaroi Amar Mecinoviq, E Majta.
Takimi është paraparë për ditën e mërkurë në ora 12 në Klubin e Deputetëve. /Alsat.mk

