RajoniTop Lajme

Osmani: Toleranca ndaj diskriminimit në Luginën e Preshevës ka mbaruar

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se avancimi i Projektligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës dërgon një mesazh të qartë se diskriminimi kundër shqiptarëve në Serbi nuk është më i padukshëm dhe nuk tolerohet.

Osmani ka theksuar se Serbia vazhdimisht ka kryer shkelje të të drejtave të pakicave, përfshirë fushatën e pasivizimit për pastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe intimidimin nga autoritetet qendrore.

Projektligji, i votuar më 21 janar nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan, i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Presidentja Osmani ka falënderuar sponsorin e projektligjit, Keith Self, kryetarin e komitetit, Brian Mast, dhe të gjithë ata që votuan pro avancimit të tij me mbështetje dypartiake.