MaqedoniTop Lajme

Reshjet përmbysin disa fshatra në Saraj, situatë në gjendje kritike

Shpërndaje

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin mbrëmë dhe në orët e para të mëngjesit kanë shkaktuar vërshime në disa fshatra të Komunës së Sarajit. Si pasojë, dhjetëra familje të fshatrave: Llaskarcë, Bukoviç, Semenishtë, Çajlanë, Arnaqi dhe Gllumovë u përballën me përmbytje në shtëpitë e tyre, ndërsa disa prej tyre mbetën përkohësisht të bllokuara.

Uji ka depërtuar kryesisht në bodrume dhe në katet e para të shtëpive, duke shkaktuar dëme materiale. Banorët thonë se situata u përkeqësua brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërsa rrugët në disa zona u bënë të pakalueshme.

Banorët shprehen të revoltuar, duke theksuar se përmbytjet janë pasojë e mosrregullimit të shtratit të lumit të njohur si “Lumi i Thatë”, si dhe e ndotjes së tij me mbeturina të ndryshme, veçanërisht mbetje ndërtimi. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje afatgjate për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla.

“Edhe lart lumi është I bllokuar, hudhin beton, atje është blloku, ka ikur nëpër livadhe dhe ka hy nëpër shtëpi ujiu. Të gjitha ato shtëpi janë nën ujë. Kjo është shtëpia jonë. A keni dëme brenda? Kemi pak, kur kalojnë makinat hyn uji brenda, ato shtëpitë tjera janë plot, ka ujë deri në 80 centimentra,” tha një banor.

“Nuk është hera e parë, kjo ka ndodhë dhe do të ndodhë, fatkeqësisht lumi duhet të pastrohet dhe të rregullohet me kohë,” u shpreh një banor.

“Përafërsisht sa shtëpi mund të jenë vërshu prej ujit? Këtu janë katër, aty 2, janë rreth 10 shtëpi. Edhe para dy vitesh ishte kjo situate sepse është i bllokuar lumi,” u shpreh një tjetër banor.

“Duhet të mer masa komuna dhe shteti. I gjithë lumi është I bllokuar me gypa, kanë ndërtuar objekte dhe kanë bllokkuar gypin edhe uji nuk ka ku të shkoj, ai gyp nuk e zë atë ujë. Çka ki dëm, çka është prish? Bodrumi ëshë plot me ujë, janë prish mjetet që punoj në ujsjellës, frigoriferat e plot gjëra. E kam vendos motorrin edhe po mundohem ta heq ujin. S’ka kush merr masa këtu te ne, këtu është katastrofë e madhe,” tha një tjetër banor.

Nga Komuna e Sarajit njoftojnë se po e vëzhgojnë nga afër gjendjen e krijuar dhe janë në koordinim me institucionet përkatëse për tejkalimin e situatës. Ekipet në terren po punojnë për pastrimin e zonave të prekura dhe për të ndihmuar familjet e dëmtuara.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve deri në stabilizimin e plotë të gjendjes. /Alsat/