Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet punëtoria “NanoBalkan Workshop 2026”
Në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore i filloi punimet punëtoria “NanoBalkan Workshop 2026”. Ky aktivitet shkencor përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e nanoteknologjisë, një disiplinë që po zë një vend qëndror në zhvillimin e shkencave natyrore dhe aplikimeve të avancuara teknologjike. Iniciatorët dhe kontribuesit e këtij aktiviteti është akademiku Prof. Dr. Arben Merkoçi nga Shqipëria dhe stafi lokal i NanoBalkan: prodekani për shkencë i FSHMN-së, Prof. Dr. Ahmed Jashari, Prof. Dr. Bashkim Ziberi dhe Prof. Dr. Arianit Reka – koordinator. Në hapjen solemne të kësaj punëtorie ishin të pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe dekani i FSHMN-së, Prof. Dr. Florim Idrizi.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli shprehu mirënjohje për të gjithë organizatorët që kontribuuan në realizimin e kësaj punëtorie dhe theksoi se vetë fakti që “NanoBalkan” sot zhvillohet në UT, me përfaqësues, shkencëtarë e studiues nga shumë vende të ndryshme, paraqet sfidë, përgjegjësi dhe përkushtim. “Sot së bashku me ju, zotohemi se në vazhdimësi do të vendosim rrënjët e “NanoBalkan” në Universitetin e Tetovës dhe jam i bindur se për një periudhë të shpejtë, bashkërisht do arrijmë të vendosim një laborator të ri, enkas për sferën e nanoteknologjisë, me qëllim që universiteti ynë studiuesve dhe studentëve, do t’u mundësojë të realizojnë projektet dhe analizat e tyre.” tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Tetovë, Prof. Dr. Florim Idrizi u shpreh se nanoteknologjia kontribuon në krijimin e materialeve me veti të reja, në zhvillimin e sistemeve inteligjente, si dhe në ofrimin e zgjidhjeve inovative në mjekësi, energji, elektronikë dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas dekanit, përmes kësaj punëtorie krijohet një hapësirë e rëndësishme akademike për prezantimin e rezultateve kërkimore, shkëmbimim e përvojave, diskutimin e metodologjive bashkëkohore dhe identifikimin e drejtimeve të reja të kërkimit shkencor.
Akdemiku Arben Merkoçi në fjalën e tij i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe Universitetin e Tetovës për mikpritjen. Ai u shpreh se nanoteknologjia është një fushë shumë e hapur, shumë transversale, ku marrin pjesë ekspertiza nga më të ndryshmet, duke filluar nga kimia, biologjia, fusha e shkencave kimike, fusha e materialeve, e inxhinierisë, informatika apo inteligjenca artificiale etj. dhe është një fushë e cila u jep mundësi kërkuesëve shkencorë të inxhinierisë të punojnë dhe të bashkëpunojnë, pasi në këtë fushë, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. Ai theksoi se ky takim do t’u shërbejë bashkëpunimeve të mëtejshme midis grupeve kërkimore-shkencore, njohjes së infrastrukturave dhe mundësive që kanë kolegët dhe studiuesit në Universitetin e Tetovës.
Punimet e kësaj punëtorie do të përfundojnë ditën e nesërme. Ky aktivitet kontribuon në ndërtimin e rrjeteve të qëndrueshme të bashkëpunimit, të cilat janë thelbësore për realizimin e projekteve të përbashkëta, aplikimin në programe ndërkombëtare kërkimore dhe transferimin e njohurive drejt industrisë dhe shoqërisë.

