Bisedimet bërthamore në Gjenevë, Irani: U dakordësuan parimet udhëzuese me SHBA
Irani njoftoi se gjatë bisedimeve indirekte me Shtetet e Bashkuara në Gjenevë është arritur një mirëkuptim mbi “parimet kryesore udhëzuese” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për programin bërthamor
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se ende mbetet punë për t’u bërë drejt një marrëveshjeje. Nga ana e tyre, SHBA nuk kanë komentuar publikisht deri tani.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, vendi që ndërmjetëson negociatat, deklaroi se bisedimet “përfunduan me progres të mirë drejt identifikimit të objektivave të përbashkëta dhe çështjeve teknike përkatëse”.
Takimi u zhvillua pas kërcënimeve të përsëritura ushtarake nga SHBA ndaj Iranit, në lidhje me shtypjen e protestave antiqeveritare dhe aktivitetet bërthamore të Teheranit. Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më herët se beson që Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje.
SHBA dhe aleatët e saj evropianë dyshojnë se Irani po i afrohet zhvillimit të një arme bërthamore, akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.
Para bisedimeve të së martës, të zhvilluara në rezidencën e ambasadorit të Omanit në qytetin zviceran, Irani kishte bërë të ditur se fokusi do të ishte programi bërthamor dhe mundësia e heqjes së sanksioneve ekonomike të vendosura nga SHBA. Uashingtoni, nga ana tjetër, ka sinjalizuar më parë se dëshiron të diskutojë edhe çështje të tjera, si zhvillimi i raketave iraniane. Nuk dihet ende se cilat tema u trajtuan konkretisht në Gjenevë.
Presidenti Trump i cilësoi bisedimet si “shumë të rëndësishme” dhe tha se do të ishte i përfshirë “në mënyrë indirekte”, duke lënë të kuptohet se Teherani këtë herë është i motivuar për negociata.
“Nuk besoj se ata duan pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, duke shtuar se Irani i ka mësuar pasojat e një qëndrimi të ashpër në bisedimet e verës së kaluar, kur SHBA bombarduan objektet bërthamore iraniane.
“Ne mund të kishim pasur një marrëveshje në vend që të dërgonim bombarduesit B-2 për të goditur potencialin e tyre bërthamor. Dhe u detyruam t’i dërgonim B-2-të”, tha ai, duke shprehur shpresën që Irani të tregojë më shumë fleksibilitet.
Kërcënimet e Trump vijnë në një kohë kur SHBA kanë shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme javët e fundit. Sipas verifikimeve me imazhe satelitore, aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln ndodhet pranë Iranit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, iu përgjigj kërcënimeve duke deklaruar se “më e rrezikshme se një aeroplanmbajtëse është arma që mund ta çojë atë në fund të detit”. Ai shtoi se “ushtria më e fortë në botë” mund të marrë ndonjëherë një goditje nga e cila nuk ngrihet dot.

