Përfundon në Gjenevë raundi i tretë i bisedimeve Rusi-Ukrainë të ndërmjetësuara nga SHBA-ja
Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, përfundoi sot në Gjenevë pas gati dy orësh, transmeton Anadolu.
Negociatat, të ndërmjetësuara nga i dërguari special i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, vijnë një javë para përvjetorit të katërt të luftës Rusi-Ukrainë mes sulmeve të vazhdueshme.
Delegacioni rus kryesohet nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, duke zëvendësuar zyrtarët e lartë ushtarakë që udhëhoqën raundet e mëparshme në Abu Dhabi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha përpara takimit se bisedimet do të trajtonin një gamë më të gjerë çështjesh, përfshirë çështjet kryesore që kanë të bëjnë me territoret, të cilat ai i përshkroi si qendrore për kërkesat e Moskës.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov udhëhoqi delegacionin e Ukrainës. “Ne kemi një kornizë për punë të dakorduar nga presidenti i Ukrainës (Volodymyr Zelenskyy) dhe një mandat të qartë. Çështjet e sigurisë dhe humanitare janë në axhendë”, tha ai më parë.
Duke konfirmuar rifillimin e bisedimeve sot në mëngjes, Umerov tha në kompaninë amerikane të mediave sociale Facebook se diskutimet po zhvilloheshin në “grupe pune sipas fushave brenda pistave politike dhe ushtarake”.
“Po punojmë për sqarimin e parametrave dhe mekanizmave të vendimeve të diskutuara dje. Jemi të përqendruar në punë thelbësore. Do të japim informacione shtesë mbi rezultatet”, shtoi ai.
Të martën vonë, Umerov tha se kishte përfunduar një takim të veçantë me përfaqësues të partnerëve amerikanë dhe evropianë, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Zvicrën, për të sinkronizuar qasjet për hapat e mëtejshëm.
Bisedimet e së martës zgjatën më shumë se katër orë.
Ndërkohë, mediat ruse duke cituar burime brenda delegacionit rus, i përshkruan negociatat si “shumë të tensionuara” dhe raportuan se kontakte të veçanta ruso-amerikane u zhvilluan së bashku me formatin trepalësh.
Për palën amerikane, Witkoff tha se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kanë “sjellë përparim domethënës” drejt përfundimit të luftës.
“Suksesi i presidentit Trump në bashkimin e të dyja palëve të kësaj lufte ka sjellë përparim domethënës dhe ne jemi krenarë që punojmë nën udhëheqjen e tij për të ndaluar vrasjet në këtë konflikt të tmerrshëm”, shkroi ai në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Presidenti ukrainas Zelenskyy tha të martën vonë se Rusia lëshoi 29 raketa dhe gati 400 dronë përpara bisedimeve, duke shtuar se u kapën 25 raketa.
“Rusia përshëndet me një sulm edhe ditën që fillojnë formatet e reja në Gjenevë”, tha ai në një postim në Telegram duke shtuar se “Ekipi absolutisht duhet ta ngre çështjen e këtyre sulmeve, para së gjithash me palën amerikane, e cila propozoi që si Ukraina ashtu edhe Rusia të përmbahen nga sulmet. Ukraina është gati. Ne nuk kemi nevojë për luftë. Ne gjithmonë veprojmë në mënyrë simetrike, duke mbrojtur shtetin dhe pavarësinë tonë”.
“Po kështu, ne jemi të gatshëm të ecim shpejt drejt një marrëveshjeje të drejtë për t’i dhënë fund luftës”, shtoi ai.
Bisedimet po zhvillohen pas dyerve të mbyllura dhe nuk pritet ndonjë deklaratë e menjëhershme.

