MaqedoniTop Lajme

Krerët e VLEN bëjnë homazhe në Prekaz: Lavdi e përjetshme Adem Jasharit dhe dëshmorëve të kombit

Shpërndaje

Krerët e koalicionit VLEN kanë qëndruar sot në Prekaz, ku kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari, duke nderuar sakrificën e komandantit legjendar dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës.

Gjatë vizitës në Kompleksi Memorial Adem Jashari, përfaqësuesit e VLEN u përkulën para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, duke theksuar se Prekazi mbetet një nga vendet më të shenjta të historisë kombëtare shqiptare.

Ata vizituan edhe kullën e familjes Jashari, ku në konak u pritën nga Rifat Jashari. Sipas tyre, kjo kullë është simbol i qëndresës, sakrificës dhe krenarisë së një populli që nuk u dorëzua përballë padrejtësisë.

“Prekazi është vendi ku historia e rezistencës shqiptare mori një dimension të ri. Sakrifica e familjes Jashari dhe e gjithë dëshmorëve të luftës mbetet kapitull i përjetshëm në kujtesën e shqiptarëve,” u theksua gjatë vizitës.

Krerët e VLEN nënvizuan se Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një kujtim historik, por një amanet dhe përgjegjësi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm që të ruajnë dhe zhvillojnë lirinë e fituar me sakrificë.

Në fund të vizitës ata shprehën mirënjohje dhe respekt për komandantin Adem Jashari dhe për të gjithë dëshmorët e kombit, duke theksuar se idealet për të cilat ata u flijuan duhet të mbeten udhërrëfyes për të ardhmen.

Bilall Kasami:

Në konakun e Bacit Rifat, në kullën e Jasharajve, të cilët na mësuan se çfarë do të thotë atdhedashuria dhe sakrifica për liri.
Idealin e tyre e bartim gjithmonë me vete.
Lavdi!

Izet Mexhiti:

Në Prekazin heroik. Te konaku famëmadh i familjes Jashari, ku Baci Rifat si gjithnjë i fortë si kështjellë.
Në ditën e fundit të Epopesë së UÇK-së, nderuam kryeheroin Adem Jashari dhe gjithë të rënët e luftës së fundit në Kosovë.
Secila vizitë në familjen Jashari është rimësim se sa e shtrenjtë është liria. Epopeja e UÇK-së me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mbetet pika e kthesës në rrugën për çlirim e pavarësi të Kosovës.

Bekim Sali:

Sot, me krenari dhe përulësi, qëndruam në Prekazin e lavdisë, ku bëmë homazhe u lutëm për shpirtin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës.
Vizituam edhe kullën e Jasharajve, ku në konak na priti baca Rifat Jashari. Në atë kullë qëndrese dhe krenarie u shkrua një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. Aty nisi qëndresa heroike që u bë simbol i sakrificës dhe i vendosmërisë për liri.
Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm histori. Ajo është amanet, frymëzim dhe udhërrëfyes për çdo brez që vjen pas nesh. Sakrifica e Jasharajve është themeli mbi të cilin qëndron liria dhe dinjiteti ynë kombëtar.
Të frymëzuar nga kjo sakrificë, kemi detyrimin që çdo ditë të punojmë për një të ardhme më të mirë për brezat e rinj, duke ruajtur dhe mbrojtur idealet për të cilat u flijuan dëshmorët e kombit
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! 🇦🇱