Shefi i OKB-së: Lufta me Iranin është “jashtë kontrollit”, bota përballet me rrezikun e një konflikti më të gjerë
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se lufta me Iranin ka dalë përtej çdo kufiri, duke e cilësuar konfliktin si “jashtë kontrollit” dhe duke paralajmëruar se bota po ballafaqohet me rrezikun e një përplasjeje shumë më të gjerë, transmeton Anadolu.
“Pas më shumë se tri javësh, kjo luftë është jashtë kontrollit”, u tha Guterres gazetarëve në një konferencë për media në selinë e OKB-së në Neë York, duke shtuar se “konflikti ka kaluar përtej kufijve që edhe vetë liderët i mendonin të mundshëm”.
“Bota po përballet me rrezikun e një lufte më të gjerë, me një rritje të vuajtjeve njerëzore dhe me një goditje më të thellë ekonomike globale”, tha ai, duke theksuar se situata “ka shkuar shumë larg”.
Duke bërë thirrje për t’i dhënë fund përshkallëzimit ushtarak, Guterres tha: “Është koha të ndalojmë ngjitjen në shkallën e përshkallëzimit dhe të fillojmë ngjitjen në shkallën e diplomacisë, si dhe të rikthehemi në respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare”.
Duke iu referuar palëve kryesore të përfshira në luftë, ai tha: “Mesazhi im për SHBA-në dhe Izraelin është se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës, ndërsa vuajtjet njerëzore po thellohen, viktimat civile po shtohen dhe ndikimi ekonomik global po bëhet gjithnjë e më shkatërrues”.
Guterres i bëri thirrje gjithashtu Iranit që të ndalojë sulmet ndaj vendeve të Gjirit, duke theksuar se ato “nuk janë palë në konflikt”.
Duke theksuar efektet ekonomike të luftës, ai tha: “Mbyllja e zgjatur e Ngushticës (së Hormuzit) po pengon lëvizjen e naftës, gazit dhe plehrave kimike në një moment kritik të sezonit global të mbjelljeve”.
Shefi i OKB-së u ndal edhe te Libani, duke thënë: “Izraeli duhet të ndalojë operacionet dhe sulmet ushtarake në Liban, të cilat po godasin më së shumti civilët”. Ai shtoi se “Modeli i Gazës nuk duhet të përsëritet në Liban”.

