Azizi: Me BESË deri te VLEN një, rrugëtimi i bashkimit politik të shqiptarëve
Deputeti i VLEN-it Adnan Azizi ka dalë me mesazh emocional në prag të Kongresit të Bashkimit të VLEN-it, duke e cilësuar këtë moment si kulmin e një rruge të gjatë dhe sfiduese që e nisi si Lëvizja BESA.
Postimi:
Me BESË deri te VLEN NJË
Kur e nisëm rrugën për ta sjellë ndryshimin, ishim pak, por ishim të vendosur dhe me besim të plotë për ta bërë gjënë e duhur.
Këtë rrugë e nisëm me BESË.
Qëllimin tonë të sinqertë shqiptarët e kuptuan menjëherë.
Që në zgjedhjet e para, ata i dhanë 60.000 vota Lëvizjes BESA për ta sjellë ndryshimin në skenën politike.
Shumëkush do të dorëzohej pas sulmeve të shumta nga qarqe të ndryshme, pas mosmarrëveshjeve e përçarjeve që na ndodhën rrugës.
Por ne nuk u dorëzuam, sepse dorëzimi nuk është në ADN-në tonë.
I përveshëm krahët, punuam fort, folëm me çdo shqiptar, trokitëm në çdo derë, bashkuam zemra dhe ide.
Fillimisht, fituam Tetovën kur askush nuk e priste.
Pastaj, e shtrimë dorën e pajtimit dhe bashkëpunimit, për të mirën e këtij populli dhe për ta rrëzuar regjimin.
Dhe sot, ja ku na solli BESA dhe vizioni ynë: në ditën e bashkimit më të madh politik të shqiptarëve.
Sot e themi pa mëdyshje se ia vlejti. Ia vlejti sakrifica, mundi dhe përkushtimi.
Sot VLEN bëhet NJË!
Kongresi i Bashkimit i VLEN po mbahet sot, më 9 maj 2026, në Ditën e Europës, një datë simbolike që nënvizon orientimin euroatlantik të koalicionit.

