Bilall Kasami: Jo vetëm provimi i jurisprudencës por dhe 50 provime profesionale do të jepen në gjuhën shqipe
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në emisionin e Çim Pekës në Syri TV ka folur për ndryshimet që sipas tij janë arritur në fushën e të drejtave gjuhësore dhe provimeve profesionale për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka deklaruar se për 20 vite gjatë qeverisjes së BDI-së, provimi i jurisprudencës është mbajtur në gjuhën maqedonase, edhe pse, siç tha ai, nuk ka qenë i ndaluar me ligj që të zhvillohet në gjuhën shqipe.
“Duhej të vij koalicioni VLEN në vitin 2024 që kjo çështje të aktualizohet në opinion që ne tani si pjesë e qeverisë ta zgjidhim”, ka deklaruar Kasami.
Ai tha gjithashtu se është arritur marrëveshje politike me kryeministrin Hristijan Mickoski që provimi i jurisprudencës dhe rreth 50 provime të tjera profesionale, të cilat deri tani janë mbajtur në gjuhën maqedonase, të mbahen edhe në gjuhën shqipe.
Sipas tij, me ardhjen e VLEN-it në qeveri është zgjidhur edhe çështja e provimit për punonjësit socialë, ku licencimi do të mund të jepet në gjuhën shqipe për shqiptarët.
“Për 20 vite të qeverisjes së BDI-së, edhe pse nuk ka qenë e ndaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë me ligj, provimi i jurisprudencës është mbajtur në gjuhën maqedonase”, ka deklaruar Kasami.
“Me ardhjen e VLEN-it në qeveri është bërë marrëveshje që provimi i jurisprudencës dhe rreth 50 provime të tjera profesionale të mbahen edhe në gjuhën shqipe, si dhe të mundësohet që licencimi i punonjësve socialë të jepet në gjuhën shqipe për shqiptarët”, ka shtuar ai.

