Lufta në Ukrainë: Dron në centralin bërthamor – IAEA e alarmuar
Centrali bërthamor i Zaporizhzhias në jug të Ukrainësndodhet pranë vijës së frontit. Edhe pse është i fikur, pasojat e luftës mund të kenë ndikime katastrofike në kompleksin më të madh të reaktorëve në Evropë, i cili aktualisht është i pushtuar nga trupat ruse. Për këtë arsye, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) shpreh shqetësim të madh për raportimet e fundit nga Zaporizhzhia.
Sipas koncernit shtetëror rus të energjisë bërthamore Rosatom, të shtunën (30.05.2026) një dron luftarak ukrainas është përplasur në centralin bërthamor. Sipas drejtuesve të centralit dhe shefit të Rosatomit, Alexej Likhachov, ka pasur një sulm me dron në sallën e makinerisë të reaktorit 6. Ata ia atribuojnë incidentin ushtrisë ukrainase. Megjithatë, nuk janë paraqitur prova përkatëse.
Instalimet e rëndësishme nuk janë dëmtuar nga shpërthimi, njoftoi Likhachov pasdite të së shtunës. Megjithatë, një vrimë është hapur në murin e sallës së turbinës.
IAEA: Nuk ka rritje të rrezatimit
Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë në vend nuk kanë matur rritje të rrezatimit. Këtë e bëri të ditur Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) në Vjenë, e cila ka vendosur një ekip në atë central bërthamor.
Sipas kësaj, ky do të ishte sulmi i parë me dron ndaj territorit të centralit që nga prilli 2024. Sulmet ndaj objekteve bërthamore janë si të luash me zjarrin, paralajmëron drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi.
Ushtria ukrainase i hedh poshtë akuzat ruse dhe i quan ato një mashtrim propagandistik. Sipas saj, bëhet fjalë për një përpjekje për “shantazh bërthamor” nga ana e Rusisë.
Sulme ndaj infrastrukturës ruse të karburanteve
Sulmet me dron janë bërë pjesë e përditshme e luftës, e cila filloi më shumë se katër vjet më parë nga Rusia, dhe përdoren nga të dyja palët. Ato shpesh godasin objektiva thellë në territorin e kundërshtarit – siç ndodhi sërish tani.
Sipas autoriteteve ruse, Ukraina ka sulmuar gjatë natës duke gdhirë e diela (31.05.2026) objekte industriale dhe energjetike në disa rajone të Rusisë. Guvernatori i rajonit të Kirovit, Aleksandr Sokolov, raportoi për një sulm me dron në një objekt në distriktin Urzhumsky. Rajoni i Kirovit ndodhet në verilindje të Moskës dhe rreth 1300 kilometra larg zonave të kontrolluara nga Ukraina.
Edhe guvernatorët e rajoneve Rostov, Voronezh dhe Belgorod, që kufizohen me Ukrainën, raportojnë për sulme. Në Belgorod thuhet se tre civilë janë plagosur. Sipas gazetës online “Ukrajinska Prawda”, pranë qytetit Taganrog në Rostov, në bregun e Detit Azov, një depo nafte është sulmuar.
Në rajonin e Saratovit është dëmtuar infrastruktura civile, njoftoi guvernatori Roman Busargin. Në këtë rajon përgjatë lumit Vollga ndodhen disa rafineri nafte, të cilat kanë qenë shpesh objektiv i sulmeve ukrainase.
Në gadishullin e Krimesë, të kontrolluar nga Rusia, guvernatori i emëruar nga Moska, Sergej Aksjonov, ka njoftuar kufizime për shitjen e benzinës. Ai nuk dha arsye për këtë vendim. Nuk dihet nëse kjo ka lidhje me sulmet ukrainase të vazhdueshme prej muajsh ndaj infrastrukturës ruse të karburanteve./DW

