Fetai jep dorëheqje nga pozita e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë
Zv.kryeministri dhe ministri përgjegjës për Qeverisjen e Mirë, Arben Fetai, ka bërë të ditur dorëheqjen e tij nga detyra, duke e cilësuar këtë si një vendim të menduar dhe të marrë me bindjen se në rrethanat aktuale është hapi më i drejtë. Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, ai ka reflektuar mbi punën e realizuar gjatë dy viteve në funksion, duke theksuar angazhimin për reforma, transparencë dhe forcimin e institucioneve, si dhe duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.
Njoftimi nga Fetai:
Të dashur miq dhe bashkëqytetarë,
Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë.
Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues.
A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po.
Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze.
Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap.
Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët.
Letrën e dorëheqjes mund ta lexoni më poshtë.
I juaji,
Arbeni

