Sponsori i K.F. Shkëndija i bën thirrje FFM-së që të rishqyrtojë dhe korrigjojë urgjentisht vendimin
Klubi Futbollistik Shkëndija ka lëshuar një komunikatë zyrtare përmes së cilës ka shprehur revoltën e thellë ndaj vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM). Sponsori kryesor i klubit tetovar e ka cilësuar këtë vendim si “skandaloz” dhe ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes përfundimtare nga futbolli i Maqedonisë së Veriut nëse ky vendim nuk rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht.
Komunikata e plotë:
Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ndaj KF Shkëndijës, sponsori i klubit kërkon që ky vendim skandaloz të rishikohet dhe të korrigjohet urgjentisht.
KF Shkëndija ka qenë ndër klubet e pakta që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare. Kontributi ynë ndër vite ka pasur kosto, mund dhe sakrifica të mëdha. Për më tepër, Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane.
Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit.
Presim që organet e FFM-së të reflektojnë me urgjencë, në interes të drejtësisë sportive, klubit dhe të ardhmes së futbollit në përgjithësi.

