LSDM akuzon Qeverinë se po përgatit pranimin e një marrëveshjeje të re me BE-në
Qeveria po përgatit terrenin për pranimin e të ashtuquajturit propozim francez dhe tashmë ekzistojnë sinjale për një marrëveshje në këtë drejtim, deklaroi Andrej Zhernovski nga LSDM. Partia opozitare pretendon se ka informacione se Qeveria ka arritur marrëveshje për mënyrën se si do të zhvillohet procesi, dhe kjo është në përputhje me atë që ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, e ka konfirmuar për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit.
“Po përgatitet terreni për pranimin e propozimit francez. Informacionet tona nga Brukseli flasin se Qeveria e Mickoskit këtë tashmë e ka dakorduar. Dhe këto janë sinjale të qarta që kanë ardhur nga Brukseli, Berlini dhe Parisi. Janë shteruar fjalë për fjalë të gjitha përpjekjet dhe gënjeshtrat që më herët njerëzit nga Qeveria tentuan t’ua shesin qytetarëve, kujtoheni, gjithçka filloi me një lloj veprimi të shtyrë”, tha Andrej Zhernovski – LSDM.
Përgënjeshtrim i menjëhershëm erdhi nga Ministria e Punëve të Jashtme, nga ku këto deklarata i cilësuan si përpjekje për krijimin e histerisë dhe përhapjen e dezinformatave. Edhe pse në intervistën e dhënë dy ditë më parë, shefi i diplomacisë Mucunski, konfirmoi se ka negociata të fshehta, tani nga MPJ thonë se kjo nuk është e vërtetë.
“Pretendimet për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë ose marrëveshjeve të fshehta janë vetëm një tjetër nga vargu i trillimeve që LSDM-ja ia jep opinionit. Fakt është se institucionet rregullisht komunikojnë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me institucionet evropiane, me Bullgarinë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Këto bisedime zhvillohen në mënyrë transparente, ndërsa qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe është konfirmuar publikisht disa herë. Nuk ka lëshime nga interesat kombëtare, identiteti, gjuha dhe historia”, thonë nga MPJ.
Se po zhvillohen bisedime “nën radar” për një zgjidhje dhe për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, së fundmi e konfirmoi edhe ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas.

