Bullgaria shton kontrollet për frutat dhe perimet! Eksportuesit nga Maqedonia përballen me procedura të rrepta
Bullgaria ka shtuar kontrollet ndaj importeve të frutave dhe perimeve në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, njoftoi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Masa ka hyrë në fuqi më 3 gusht dhe përfshin dërgesat me origjinë nga vendet e treta, përfshirë edhe produktet nga Maqedonia e Veriut, të destinuara për tregun bullgar.
Nga AUV bëjnë të ditur se kompanitë eksportuese dhe transportuesit duhet të marrin parasysh kontrollet e shtuara gjatë planifikimit dhe realizimit të dërgesave, pasi procedurat kufitare mund të zgjasin.
Agjencia thekson se po e ndjek situatën dhe do t’i informojë në kohë operatorët ekonomikë për të gjitha ndryshimet me qëllim zhvillimin pa pengesa të tregtisë dhe respektimin e kërkesave ligjore.

