RajoniTop Lajme

Kurti: Autostrada Shkup–Bllacë do ta forcojë lidhjen mes dy vendeve

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e autostradës Shkup–Bllacë gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të projektit. Ai tha se kjo autostradë do ta forcojë lidhjen infrastrukturore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në këtë moment po vendosen gurëthemelet e një lidhje të re moderne midis dy vendeve tona, autostrada Shkup – Bllacë do të jetë me pesë tunele, tetë ura, e katër galeri do ta forcojë shumë më tepër lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, rëndësia e saj shkon përtej infrastrukturës, përveq që do të shkurtohet distance do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona”, tha ai.

Fjala e ime plotë me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Shkup – Bllacë, në Maqedoninë e Veriut:

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi,
I nderuari Kryeministrër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristjan Mickoski,
I nderuari Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Transportit, z. Aleksandar Nikoloski,
I nderuari Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha,
Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të BERZH-it,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit shqiptar,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Jam i lumtur që ndodhem këtu bashkë me juve, në këtë moment kur po hedhen themelet e një lidhjeje të re dhe moderne midis dy vendeve tona.
Autostrada Shkup-Bllacë me pesë tunele, tetë ura e katër galeri, do ta forcojë shumë më tepër lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Por, rëndësia e saj shkon përtej infrastrukturës. Përveç se do të shkurtohet distanca, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona.
Ne jemi dy shtete që kanë qarkullim të lartë të qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset tona lëvizin çdo ditë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, apo rreth 150 maune në ditë. Prandaj, çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.
Kjo autostradë do ta bëjë këtë qarkullim më të shpejtë, më të sigurt e më efikas. Njëkohësisht, do t’u japë bizneseve tona mundësi më të mëdha për t’i lëvizur mallrat, për t’i zgjeruar tregjet dhe për të krijuar partneritete të reja.
Në Kosovë po punojmë që lidhja infrastrukturore me vendet fqinje dhe me korridoret evropiane të rritet edhe më shumë dhe ky projekt i sotëm është dëshmi konkrete e këtij vizioni.
Kjo autostradë është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e lidhjes strategjike që përmes Kosovës e afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane.
Këtij vizioni i përket edhe Linja 10 hekurudhore, e cila e lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut, e gjithashtu, këtij vizioni i përket edhe projekti Prizren-Tetovë përmes tunelit, të cilin po e realizojmë gjithashtu bashkërisht. Këto projekte janë ura gjigande të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë.
Prandaj, është shumë domethënëse që sot po nisë realizimi i këtij projekti, që është premtuar për shumë vite dhe që ka rëndësi kaq të madhe për të dyja vendet tona dhe qytetarët tanë.
Me këtë rast, shfrytëzoj rastin ta falënderoj Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë kontribuesit që ky projekt të nisë së zbatuari. Një falënderim i veçantë shkon edhe për koalicionin e partive shqiptare, për kontributin e tyre në punë të mira e të mbara në shërbim të qytetarëve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Urime fillimi i punimeve të autostradës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë.