RajoniTop Lajme

Thaçi iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës ta ruajnë qetësinë pas vendimit të Speciales

Shpërndaje

sh-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë pas aktgjykimit dënues ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq përcolli mesazhin e Thaçit, ku ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe e cilësoi vendimin e 16 shtatorit të padrejtë.

“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar, dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, shkroi Mishetiq në X.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e dënuan Thaçin me 25 vjet burgim. Dënim i njëjtë iu shqiptua edhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ndërkaq me 18 vjet burgim u dënua ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe me 13 vjet ish-deputeti Rexhep Selimi.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ata u shfajësuan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Apelimi i aktgjykimit

Avokati kryesor i Thaçit, Luka Mishetiq, tha se aktgjykimi dënues do të apelohet në Gjykatën e Apelit në Hagë, pasi pretendoi se ka gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që “kanë cenuar” që procesi gjyqësor “të jetë i drejtë”.

Mishetiq shkroi se përgjatë gjithë procesit gjyqësor, mbrojtja ka shprehur shqetësime për drejtësinë procedurale, përfshirë edhe “pyetjet e shumta të bëra nga anëtarët e trupit gjykues që nuk krijonin përshtypjen e paanshmërisë”.

“Mbroja mban qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore tejkaluan kufirin natyral të kërkimit të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tani është edhe në aktgjykimin e trupit gjykues”, shkroi Mishetiq.

Mbrojtja, sipas tij, argumentuan se gjetjet e trupit gjykues për fajësinë e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme.

Thaçi mohon përfshirjen në çdo vrasje

Për më tepër, tha Mishetiq, në aktgjykimin e shqiptuar më 16 shtator, trupi gjykues publikisht pretendoi se Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit.

Kjo pasi, sipas Mishetiqit, “të gjitha palët ishin urdhëruar që të mos diskutonin për rastin e zotit Allaqi në seanca publike dhe pasi trupi gjykues kishte urdhëruar që të gjitha dëshmitë e lidhura me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”.

“Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht Thaçin fajtor për një vrasje, ndërsa provat mbi të cilat e mbështeti këtë përfundim i ka mbajtur të mbrojtura nga shqyrtimi publik. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, tha Mishetiq, duke shtuar se Thaçi “mohon në mënyrë eksplicite çdo përfshirje në vrasje”.

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, trupi gjykues tha se Thaçi kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, ndërsa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, përfshirë rastin e Behajdin Allaqit.

Mbrojtësi i Thaçit tha se do të apelohet shkelja e të drejtave themelore për një gjykim të drejtë.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim rreth ndonjë çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabimi faktik i cili ka shkaktuar dështimin e drejtësisë ose ndonjë gabimi për sa i përket dhënies së dënimit.

Çështja në apel, sipas ekipeve mbrojtëse, mund të marrë vite kohë.

Krerët institucionalë dhe ata partiakë në Kosovë e kanë cilësuar të padrejtë dënimin. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi duhet ndryshuar pozitivisht në apel.

Katër ish-eprorët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 kur u bë publike aktakuza ndaj tyre.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve dhe vlerësimit të afër 5.500 materialeve.

Trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, së bashku me persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, kishin si qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas Gjykatës në Hagë, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjykata konstatoi se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se të katërt kishin dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe mbi këtë bazë i gjeti penalisht përgjegjës për katër akuza për krime lufte.

(Radio Evropa e Lirë)