RajoniTop Lajme

Mustafa bën thirrje për koalicion LVV-PDK: Kosovës i duhet unitet dhe drejtim i ri

Shpërndaje

Ish-komandanti i UÇK-së dhe anëtari i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së.

Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendi ka nevojë për unitet dhe qartësi politike. Ai ka kërkuar që partitë kryesore të nisin dialogun për bashkëpunim në çështjet me rëndësi për Kosovën.

Sipas tij, një bashkëpunim i tillë duhet të bazohet në tri shtylla kryesore.

Mustafa ka theksuar edhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.

Ai ka thënë se forcimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore duhet të jetë një qëllim i përbashkët.

Postimi i plotë:

KOALICION I MADH PËR KOSOVËN, VV / PDK
Në këtë moment të rëndësishëm, Kosovës i duhet një marrëveshje e madhe politike që sjell unitet, qartësi dhe drejtim shtetëror.
Prandaj, VV, PDK dhe partitë e tjera mund të hapin dialogun për një marrëveshje të përbashkët, të ndërtuar mbi interesat themelore të Republikës.
Tri shtylla duhet ta udhëheqin këtë angazhim:
UNITET POLITIK DHE QETËSIM I BRENDSHËM
Bashkërendim i forcave politike dhe shoqërisë civile rreth interesit shtetëror, duke krijuar një klimë bashkëpunimi dhe përgjegjësie.
MBËSHTETJE JURIDIKE
Forcim i ekipeve mbrojtëse dhe sigurim i mbështetjes së nevojshme juridike për proceset e mëtejshme, me standarde të barabarta të drejtësisë.
ANGAZHIM DIPLOMATIK
Një veprim i koordinuar ndërkombëtar për të paraqitur me argumente historinë e Kosovës dhe UÇK-së dhe për të avancuar interesat e Republikës.
Mbi të gjitha, forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe Perëndimin duhet të jetë orientimi i përbashkët.
Ky nuk është vetëm një bashkim rreth një momenti.
Është një mundësi për të ndërtuar një marrëveshje politike me përgjegjësi, objektiva dhe drejtim të qartë për Kosovën.
VV, PDK dhe partitë e tjera: një tryezë e përbashkët, një marrëveshje e qartë, një drejtim shtetëror.
KOALICION I MADH PËR KOSOVËN.