RajoniTop Lajme

Kurti për presidentin: Nuk kemi emër të ri, nevojiten takime të reja

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë foli për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re politike mes partive.

Kurti tha se nevojiten takime dhe bisedime të reja me partitë, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë për destabilitet të mëtejshëm institucional.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e mëparshme, e cila ishte mbështetur me 99 vota, duke thënë se një përsëritje e një dakordimi politik do të ishte e mundur.

“Duhet të ketë takime, bisedime e pajtime. Unë e kam parë që është e mundshme, ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë”, deklaroi Kurti.

Sa i përket kandidatit për president, Kurti tha se LVV-ja vazhdon t’i qëndrojë marrëveshjes politike dhe kandidaturës së Bekim Sejdiut.

Sipas tij, Sejdiu u tërhoq pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk e respektuan marrëveshjen.

“Nga pikëpamja e LVV-së, ne kemi marrëveshje politike dhe besoj që duhet ta respektojmë atë. Nuk kemi emër të ri ose tjetër”, tha Kurti.

Ai shtoi se nëse në të ardhmen do të ketë një kandidat tjetër, publiku do të njoftohet.