UNT hap dyert për ditën e parë akademike 2026/2027
UNT HAP DYERT PËR DITËN E PARË AKADEMIKE 2026/2027, CEREMONIA SOLEMNE QË BASHKOI UDHËHEQJEN DHE GJENERATËN MË TË RE TË STUDENTËVE
Shkup, 01.10.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënoi fillimin e vitit të ri akademik 2026/2027 përmes një ceremonie solemne, e cila bashkoi udhëheqjen universitare, personalitete të larta shtetërore, trupën akademike dhe gjeneratën më të re të studentëve.
Gjatë ceremonisë rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, u shpreh se dita e sotme nuk shënon thjesht fillimin e një viti të ri, por hapjen e dyerve drejt një kapitulli vendimtar jetësor dhe profesional për studentët e rinj.
Ngjarja u fisnikërua me praninë e personaliteteve të larta, ndër të cilët, zëvendësministri i Arsimit, z. Driton Sulejmani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në RMV, Sh.T. z. Denion Meidani, prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, së bashku me dekanë, prodekanë, anëtarë të Senatit, profesorë dhe stafin administrativ.
Rektori theksoi se prania e tyre dëshmon peshën e madhe institucionale dhe mbështetjen e fuqishme shtetërore e lokale që gëzon UNT-ja në misionin arsimor.
Në fjalën e tij, prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, vuri theksin te natyra e thellë e institucionit, ku universiteti nuk është vetëm një institucion arsimor, por një hapësirë epistemike ku dija përballet vazhdimisht me pyetjen, kritikën, argumentimin dhe verifikimin shkencor.
Zëvendësministri i Arsimit, z. Driton Sulejmani, u kërkoi studentëve të mos frikësohen nga sfidat dhe të mos e shohin universitetin vetëm si një detyrim për të kaluar provimet, por si një vend për të ndërtuar karakterin e tyre profesional, duke shfrytëzuar teknologjinë dhe inteligjencën artificiale me përgjegjësi.
Ambasadori Shkëlqesia e Tij, Z. Denion Meidani evokoi figurën e Nënë Terezës, e cila lindi në Shkup për të ilustruar përkushtimin ndaj të tjerëve, duke u kujtuar studentëve përmes thënies së Presidentit Kennedy se privilegji i diplomimit sjell përgjegjësinë për t’i mbajtur dyert e hapura edhe për të tjerët.
Nga ana e tij, rektori prezantoi lehtësirat moderne që ofron UNT-ja për studentët, biblioteka Universitare e cila ofron mbi 5,000 botime shkencore si burim kryesor hulumtimi, qendra për Karrierë e cila shërben si urë lidhëse me tregun e punës përmes portalit të dedikuar të karrierës si dhe mundësitë ndërkombëtare ku ofrohet një rrjet i studimeve me Diplomë të Dyfishtë (Dual Degree) dhe programet e shkëmbimit Erasmus+.
Ky organizim u moderua nga Donka Kaziovska në të cilën uroi të gjithë studentët e rinj dhe jo vetëm, për një vit të suksesshëm, produktiv dhe frymëzues, duke i ftuar studentët që ta shndërrojnë dijen në fuqi ndryshimi për shoqërinë.
🔗 https://url-shortener.me/PVK4 🇦🇱
🔗 https://url-shortener.me/PVK7 🇲🇰
🔗 https://url-shortener.me/PVK8 🇬🇧 S
🎥 Video mesazhi i rektorit të UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji për studentët në Ditën e Parë Akademike 2026/2027.

