Kandidati për president në Austri: Nëse zgjidhem, do të rikthej përkrenaren e Skënderbeut në Krujë
Ekonomisti dhe aktivisti austriak, Günther Fehlinger-Jahn, ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e Presidentit Federal të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028.
Kryetari i “Austrian Committee for NATO Enlargement” publikoi një video nga Muzeu i Vjenës, ku bëri një premtim të drejtpërdrejtë për Shqipërinë.
Fehlinger-Jahn deklaroi se, në rast fitoreje, do të punojë për kthimin e armëve dhe përkrenares së Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Krujës.
“Si President i Austrisë, zotohem se do të rikthej në Krujë, Shqipëri, përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut, për të nderuar Mbretin Skënderbe,” shkruan Fehlinger-Jahn.
Kandidati austriak njihet prej vitesh si një zë publik në mbështetje të zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë te rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Përmes rrjeteve sociale, ai komenton me intensitet zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë e Serbi, si dhe çështjet gjeopolitike që lidhen me Rusinë, Ukrainën dhe BE-në.

