Sofja i përgjigjet Shkupit: Të mos ketë ultimatume
Bullgaria është e gatshme për bisedime me Maqedoninë e Veriut por pa ultimatume. Kështu presidentja e Bullgarisë Ilijana Jotova i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë për Punë të Jashtme për takim bilateral me MPJ-në bullgare me qëllim tejkalimin e kontestit e cila bllokon rrugën drejt integrimit evropian të vendit. Sipas Jotovës, nuk është hera e parë që Maqedonia të këshillohet nga Komisioni Evropian apo nivel i tillë i përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian por shpreson që këtë herë, Von der Leyen të ketë qenë e prerë me Mickoskin, transmeton Alsat-M.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për bisedime me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por bisedime pa ultimatume dhe pa hequr dorë nga politika evropiane. Bullgaria është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të lejojmë që një shtet që ka nisur rrugën drejt Evropës, të mos i pranojë vlerat dhe virtytet e BE-së. Që biseda të jetë serioze, Mickoski duhet të njihet në detaje me politikën evropiane sa i përket zgjerimit dhe të mos i paraqes marrëdhëniet me Bullgarinë si një çështje ekskluzivisht dy palëshe”, theksoi Jotova.
E derisa Shkupi pret konfirmim të takimit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, tema e euro integrimeve mbetet aktuale në vendin tonë. Nga LSDM i bëjnë me dije kryeministrit Hristijan Mickoski se edhe kryetarja e Komisionit Evropian Von der Leyen e ka konfirmuar tanimë identitetin maqedonas dhe nuk ka asnjë arsye për të mos lëvizur përpara. Reagimi i LSDM-së vjen pasi dje kryeministri Mickoski, u shpreh i pakënaqur nga mesazhet e Von der Leyen se ndryshimet kushtetuese qëndrojnë në tavolinë.
“Mickoski thotë se nuk është i kënaqur nga porositë e Von der Leyen. I pa kënaqur është se i’a zbuluan gënjeshtrat. Nuk ka më gënjeshtra se diçka po mbron, sepse Qeveria e kaluar vetëm se e ka mbrojtur identitetin maqedonas. I vetmi që rrezikon interesin nacional është pikërisht ai, harami Mickoski. Sepse interesi nacional i Maqedonisë është anëtarësimi në BE. Premtoi kushte më të mira ndërsa për dy vite e gjysmë nuk arriti asgjë. Nuk ka garanci e as kornizë të re negociuese”, deklaroi Maja Borozan nga LSDM-ja.
Por, nga VMRO-DPMNE këto qëndrime i quajnë gënjeshtra e manipulime me opinionin. Akuzojnë se pikërisht Venko Filipçe dhe mësuesi i tij Zoran Zaev janë tradhtarët dhe nënshkruesit e shitjes të gjithçkaje që ishte maqedonase.
“LSDM-ja e Filipçes dhe Zaevit janë kuislingët. Tani, pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja po përpiqet të sigurojë një pozitë më të mirë për Maqedoninë dhe rrugën e saj drejt BE-së. Pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja po përpiqet që Maqedonia të shkojë drejt BE-së me dinjitet, e jo duke shitur gjithçka që mund të shitet,” thanë nga VMRO-DPMNE.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten (më 2 tetor) vizitoi Shkupin, prej ku paralajmëroi se që javën e ardhshme duhet të ndërmerret një hap i ri në përpjekjen për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, ajo tha se në takimin e tyre është dakorduar që procesi të fillojë sërish të lëvizë.
Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut.

